Vikena Kamenica: Rikthimi
në shtëpinë e xhazit!

13 Tetor 2012, 08:29| Përditesimi:

  • Share
Kush i ka përjetuar netët e nxehta të xhazit, vite më parë në Tiranë nuk mund të mos ndjejë nostalgji për tingujt që dikur dëgjoheshin kaq pak në kryeqytet. Spektatorët e 12 viteve më parë nuk mund të kenë harruar aspak performancat e Vikena Kamenicës, dikur e njohur vetëm në metropol, por gjatë kësaj dekade të lënë pas, e popullarizuar më së miri në mbarë vendin. Ndaj tingëllon e ethshme të shohësh një rikthim të Vikenës në skenën e klubi, aq më tepër që e kemi dëgjuar zërin e saj të intonuar në tinguj klasikë për kaq kohë. Por rikthimi nuk është vetëm për publikun, "rikthimi në qytet" është edhe i këngëtares, kolegëve të saj muzikantë dhe ideueseve të një shtëpie xhazi. Pas 12 vitesh, ajo do të ketë sërish një start të ri, si dikur, por tashmë do të ngrejë siparin e një kalendari koncertesh në vijim.

Vikena Kamenica, prej disa ditësh emri juaj është në një poster koncerti…. Por tashmë në një skenë tjetër, ndryshe nga ajo e Teatrit të Operas dhe Baletit. Ka një lidhje me të shkuarën?

Eshtë e veçantë padiskutim dhe për më tepër shumë e bukur!! Eshtë një nostalgji që tashmë u krijuan kushtet për të rikthyer dhe njëherë të njëjtat emocione!!! Kam qenë gjithmonë e prirur për të thyer sikurse dhe "monotoninë artistike" me evente profesionale. Për t'i dhënë sa më shumë larmi jetës time artistike ashtu dhe publikut.

Jeni zgjedhur të hapni sezonin e një sërë koncertesh në Boom Boom Room. Cfarë do të thotë kjo për ju. Cila është arsyeja e një zgjedhje të tillë?

Në rradhë të parë një kënaqësi për mua dhe për më tepër krenare ku një emër si BOOM BOOM ROOM nga një Pub i vogël live i para 12 vjetëve rikthehet tashmë në një skenë dhe me një kalendar ambicioz për të nisur kështu një sezon koncertor me larmi artistësh shqiptarë dhe të huaj. Ndjehem mirë se kam qenë pjesë e rëndësishme ku për herë të parë u vendosën baza serioze të një muzike shumë profesionale dhe jo thjesht të një muzike live të një lokali! Ndërkohë kjo është ajo që më lumturon që ky emër ka arritur sot deri këtu.

Kthehemi pas në kohë. I kujtoni koncertet e para të xhazit?

Me shumë dashuri i kujtoj se kanë qenë vite të bukura sikurse dhe net magjepsëse të një live shumë të vecantë.... Uroj shumë që dhe këto netë të para të sjellin po atë eufori dhe emocion.

Nuk ishte shumë në modë dikur të këndoje në club, apo lokale nate. Si ju duket kur kujtoni ato kohë?

E veshtirë. Më duhet patjetër ta them dhe pse ishte pothuajse e pamundur që të kuptonin seriozitetin e asaj çka ndodhte dhe vlerën artistike. Deri sa erdhën pothuajse të gjithë për ta prekur dhe për ta kuptuar vetë pa sqarime të tepërta. Më pas doli vërtet në modë dhe filloi epoka e deri më sot e lokalit të muzikës live dhe pse tashmë me zhanre të ndryshme.

Le të vijmë sërish te koncerti? Përse "Back in Town"?

Shumë e thjeshtë, aspak e komplikuar vetëm se në anglisht.. (qesh)
Në atë periudhë daljet e mia televizive kanë qenë të pakta. Një festival i Këngës i vitit 1996 dhe më pas pothuajse asgjë. Deri sa një ditë e gjej veten pjesë të një bisede dhe vendimi sëbashku me Florian Luarin pianistin e parë të Boom Boom Room-it për të nisur një aventurë nga propozimi i Neritan Hazizaj (ideuesi kryesor )që as vetë nuk e dinim se deri ku do të na çonte ....
Suksesi mori hov shpejt dhe ne ishim shumë në modë në Tiranë (dhe pse në qytete të tjera as nuk e dinin çfare ndodhte këtu). Kështu që shumë thjesht, titulli është "Kthim në jetën e Natës të këtij Qyteti".

Programi juaj zgjat rreth 1 ore e 30 min. Mund të dimë dicka më shumë rreth këngëve që keni përzgjedhur?

Rikthimi im do të jetë me miq të rinj dhe të vjetër muzikantë!! Siç janë instrumentistat e KELI BAND ku i falenderoj për përkushtimin kryesuar nga Brikel Guga, Emiljano Dhimo me Gentian Shahini, Ilir Durin ,Ilir Vorpsi dhe Xhino Daja prej kohësh në tregun artistik. Djem të talentuar ku kemi gjetur gjuhë të mirë bashkëpunimi dhe profesionalizmi. Për një periudhë të shkurtër bazuar dhe në kushtet e mia familjare (prej vajzës së vogël)ne kemi ngritur nje program mbi klasiket e jazz-it dhe atyre që kanë bërë historinë e kësaj muzike me trajtime pothuajse të reja ku po na çojne shumë shpejt dhe në plane të tjera të mëvonshme.

Mes muzikës klasike dhe xhazit, cila anon më shumë peshoren tuaj dhe pse?

Absolutisht muzika klasike është oksigjeni im pa të cilin unë nuk do të isha dhe këtu ku jam. Eshtë po kjo që më krijon mundësi teknike profesionale për të realizuar gjithçka që kam dashur dhe pse nuk është e lehtë për të balancuar dy anët e peshores. Nuk jemi shumë që e realizojmë këtë gjë, por në këtë pikë ndjehem e përkëdhelur nga fati që nuk më është krijuar asnjëherë problem për të bërë gjithçka kam dashur si këngëtare lirike ashtu dhe e muzikës jazz etj.. Pas kaq vitesh e diferencoj veten në këtë pikë dhe kam filluar ta shijoj siç duhet këtë fakt.

Raporti juaj me xhazin si ka ndryshuar ne vite?

Padiskutim është kultivuar në shije dhe me kalimin e viteve dhe të eksperiencës ka fituar një formë të vetën. Por gjithmonë unë jam në kërkim për të bërë akoma dhe më mirë... nuk kënaqem kollaj me veten...

Le të flasim pak për të kënduarit live. Cfarë ju nervozon dhe ju qetëson më shumë para një koncerti?

Me profesion primar si këngëtare lirike e kënduara LIVE është pjesë e jetës sime dhe as nuk bën çudi për mua më...Por në raste të këtij lloji është përgjegjesia e daljes përpara një publiku për të dhënë atë që ata presin nga ty dhe nga muzika që ata vijnë për të dëgjuar. Nervozizmi bëhet i pashmangshëm, por para se të dal para mikrofonit ose si dhe në skenë të pamikrofonuar siç ndodh në opera,i them vetes që "erdhi momenti për tu argëtuar". Eshtë e vetmja frazë dhe ndjesi që më bën të ç'kontraktohem dhe ta lë zemrën të rrahë në ritmin e vet.

Cdo artist duhet të kontrollojë emocionet e tij por pas një rikthimi në një skenë që ju kujton të shkuarën ka ndonjë emocion që del "jashtë" kontrollit?

Ah kjo është e vërtetë ku sikurse ka dhe bukurinë e vet... Kur thuhet Jazz nënkuptohet dhe një LIRI që për ne muzikantët do të thotë shumë se të jep dorë për të vënë gjithë qenien tënde artistike në lëvizje dhe bashkë me emocionet nostalgjike bën një kimi të veçantë.

Kujt ia dedikoni këtë koncert?

Për çdo gjë që unë bëj në Jetë, familja ime zë vendin e parë dhe është e padiskutueshme për mbështetjen e iniciativave të mia. Por në këtë rikthim unë këtë ia dedikoj miqve të mi të cilët prej atyre viteve si dhe sot e kësaj dite janë bërë pjesë e pandashme e jetës sime private dhe artistike ... Ju faleminderit MIQ për të gjithë dashurinë, përkushtimin dhe vlerësimin që më keni dhënë e më jepni!!!!

(Intervista u botua ne suplementin FUNDJAVA, te gazetes Shqiptarja.com, 12 tetor 2012)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?