Vijon rritja e çmimeve të produkteve të importit, INSTAT publikon shifrat e 3 mujorit të katërt të 2022: Energjia rritet me 19,4% dhe produktet ushqimore me 13,4%

6 Mars 2023, 15:38| Përditesimi: 6 Mars 2023, 22:36

  • Share

Vijon rritja e çmimeve të produkteve të importit, edhe pse ritmi i rritjes është ngadalësuar nga 9 muajt e parë të vitit 2022. Peshën më të madhe duket se kanë energjia dhe industria e përpunimit. INSTAT publikon shifrat e importit të 3 mujorit të katërt të vitit 2022.

Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e katërt të vitit 2022, arriti 112,4 kundrejt vitit 2020, që merret si vit bazë. Krahasuar me tremujorin e katërt 2021, indeksi i çmimeve të importit shënoi një rritje me 6,7 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,9 %.   Krahasuar me tremujorin e tretë 2022 indeksi shënoi rritje me 0,8 %.

Në tre muajt e fundit të 2022, krahasuar me 3 muajt e fundit të vitit 2021, Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritje me 19,4 %. Indeksi në seksionin “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 14,9 %, krahasuar me një vit më parë. Indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 91,4 % shënoi një rritje me 5,9 %.

Brenda këtij seksioni, “Industria përpunuese”, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 13,4 %, pasuar nga “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 10,8 %, “Prodhimi i pijeve” me 10,0 %, “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 9,3 %, “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 9,0 %, “Metalurgjia” me 8,7 %, “Prodhimi i tekstileve” me 8,0 %, “Prodhimi i pajisjeve elektrike” dhe “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 7,9 % secila, “Prodhimi i mjeteve të tjera të transportit” me 6,8 %, etj.

Krahasuar me tremujorin e tretë 2022, çmimet e importit të produkteve në seksionin “Industri nxjerrëse” dhe “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritje me 2,9 % secili. Çmimet në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” u rritën me 1,1 %. Rritje shënoi edhe seksioni “Industria përpunuese” me 0,7 %. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike” me 3,0 %, pasuar nga “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 2,2 %, “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 1,8 %, etj.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?