Napoli dhe Milani barazuan 1-1 në fazën çerekfinale të Champions League. Falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë, kuqezinjtë e Piolit marrin një biletë për në gjysmëfinale pas 16 vitesh. Në lidhje me eliminimin, trajneri i Napolit ka hedhur akuza për penalltinë e padhënë për të tijtë. Ndërhyrja e Leaos ndaj Lozanos nuk është cilësuar si e parregullt nga polaku Marciniak, me Luciano Spallettin që ia ka vendosur fajin eksperiencës.
"Është një penallti shumë e pastër që nuk mundet të mos e shihni. Ky nuk është një kontakt, kjo është një goditje. Rrezikoni t’i ndrydhni kyçin e këmbës kundërshtarit. Të gjithë e pranojnë që është penallti ajo e Lozanos, përveç atyre që mbajnë veshur fanellën e Milanit", tha tekniku i kaltër.
Më pas trajneri i Napolit tha se kundërshtarët ishin më të rrezikshëm në zonën e golit, teksa komplimenton kundërshtarin.
"Megjithatë dua ta uroj dhe komplimentoj Milanin, ishin më të rrezikshëm se ne në zonën e rreptësisë, na mungoi eksperienca. Besoi se ndeshjet e Kombëtareve na morën diçka. Para tyre ishim në kryesim fizikisht dhe mendërisht, por kur lojtarët u kthyen, ndryshuan shumë gjëra. Ne fituam sot 16 goditje nga këndi, kishte shumë krosime, por nuk goditëm dot portën", tha Spalletti.