VIDEO/ Partizani ‘likuidon’ Escaldes me poker dhe gjen Valmierën në turin e 3 të Conference League! Shkëlqen Tedi Cara në ‘Air Albania’

1 Gusht 2023, 22:43| Përditesimi: 2 Gusht 2023, 07:07

  • Share

Partizani fitoi 4-1 kundër Atletic Escaldes në “Air Albania” për ndeshjen e kthimit në turin e dytë të Conference League dhe merr një biletë për në raundin e tretë, aty ku gjen letonezët e Valmiera. Dueli në Tiranë pa “Demat” të kontrollonin lojën në fillim, duke nisur edhe nga fitorja 0-1 në ndeshjen e parë në Andorra.

Megjithë formën e mirë të kampionëve të Shqipërisë, rasti i parë për gol i takoi miqve, që gabuan në mënyrë të pabesueshme me portën bosh. Pas këtij momenti Partizani pati disa raste të mira me Carën, Murataj dhe Mba, por të kuqtë gabuan shënjestër.

Gjithçka do zhbllokohej në minutën e 28, aty ku Tedi Cara përfitoi nga një karambol për të zhbllokuar ndeshjen dhe qetësuar në stol Zekic. Në fundin e fraksionit të parë, po Cara gjeti golin duke dhuruar spektakël me klas në të 45+1 minutë.

Edhe në pjesën e dytë u luajt e njëjta melodi, teksa Rrapaj në minutën e 64 vulosi shifrat me një aksion të bukur. Kombinimet e Taipit me Atanaskoskin, bënë që vlonjati të dilte i lirë në zonë dhe të shënonte.

Minutat në vijim prodhuan raste, me Partizanin që kontrolloi lojën. Në fundin e ndeshjes, Lopez me penallti mposhti Qirkon në minutën 90+3, teksa një minutë më vonë ishte Grezda që vulosi gjithccka për 4-1.

Tanimë “Demat” luajnë në turin e tretë dhe përballë do kenë letonezët e Valmiera. Përballja e parë në turin e tretë të CL do luhet në Letoni më 10 gusht dhe ndeshja e kthimit një javë më pas në Tiranë. Me këtë fitore të sotme dhe duke parë kundërshtarin e ardhshëm, Partizani ka shanse reale për të kapur grupet e Conference League.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?