Dy apartamente të blerë me çmim të lirë dhe 45 mijë euro të pajustifikuara me burime të ligjshme i kanë kushtuar shkarkimin nga detyra gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Agron Vavla. Në vendimin e shkarkimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja, ka konstatuar 6 probleme me pasurinë e gjyqtarit. Konkretisht, gjyqtari Agron Vavla, sipas KPK, ka deklaruar në mënyrë të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin çmimin e një apartamenti me sipërfaqe totale 57.1 m2 në Berat.
Në deklaratën për Vetingun, gjyqtari ka deklaruar se këtë apartament e ka blerë në vlerën 404.777 lekë nga Enti Kombëtar i Banesave, në vitin 2002. Në vitin 2003, gjyqtari ka deklaruar se këtë apartament e ka blerë për 700 000 lekë. Ndërkaq, në kontratën e shitblerjes me Entin Kombëtar të Banesave, vlera e kësaj pasurie rezulton 325.256 lekë. Po ashtu, sipas KPK, gjyqtari ka fshehur çmimin real të një apartamenti banimi me sipërfaqe 110.80 m2 dhe garazhin me sipërfaqe 17 m2, ndodhur në Tiranë.
Gjyqtari ka deklaruar se apartamentin e ka blerë 42.280 euro, ndërsa garazhin për shumën 4 mijë euro në vitin 2004. Sipas KPK, çmimi i blerjes së këtij apartamentit dhe garazhi është më i ulët se çmimi i tregut. Sipas vlerës së tregut, të llogaritur nga KPK, bazuar në një vendim të qeverisë, është 110.000 lekë/m2, ndërsa gjyqtari e ka blerë pasurinë 53.480 lekë/m2. Po ashtu, ka rezultuar se gjyqtari kishte mungesë të ardhurash në shumën 2.590.429 lekë për blerjen e kësaj pasurie.
Nga analiza financiare bazuar në të ardhurat e ligjshme, KPP ka arritur në konkluzionin se gjyqtari nuk justifikon shumën 5.708.665 lekë. Sipas vendimit, gjyqtari nuk paraqitur dokumentacion ligjor provues për të vërtetuar deklarimet e tij për blerjen enjë “Mercedes Benz”, marka X3, në Gjermani, më datë 26.11.2012, në shumën 10.000 euro. KPK ka konstatuar gjithashtu se gjyqtari ka mungesë tё burimeve financiare tё ligjshme pёr tё krijuar depozitat në shumën 3.600 euro, 320.000 lekë dhe 185.571 lekësh, depozita të cilat kanë shërbyer si burim fillestar për krijimin e shumës 2.100.000 lekë.
Shkollimi i djalit në SHBA
Komisioni i Vetingut ka konstatuar se gjyqtari Agron Vavla ka fshehur detyrimin e djalit të tij, në shumën 18.230.90 USD, transferuar në vitin 2016, për shkollim në SHBA. Gjyqtari nuk ka provuar se sponsorizuesi L. B. kishte mundësi financiare nga burime të ligjshme për të dhënë huan në vitin 2016 dhe më tej në vitin 2017. Gjyqtari ka deklaruar në total se kostoja e shkollimit të djalit në SHBA është 76.020,04 USD. Si burim gjyqtari ka deklaruar cash në shumë 8.000 USD, të ardhura nga punësimi online dhe punësime të tjera gjithsej në vlerën 13.314,47 USD, nga të cilat 11.814 USD të ardhura nga punësimi në periudhën janar - dhjetor 2017. Pagesa nga sponsori, z. L. B., bashkëshorti i hallës, znj. L. B., në shumën 34.965 USD. Nga këto 19.965 USD për vitin 2016, 15.000 USD për vjeshtë të vitit 2017.
Pagesa nga shtetasi amerikan, z. Sh. Rr., në shumën 23.241,14 USD. Ky shtetas, deklaron subjekti, ka marrë kredi në emër të tij dhe vlerën e kredisë e ka dërguar për financimin e shkollës së personit të lidhur/djalit të subjektit. Po nga hetimi i thelluar, KPK ka arritur në konkluzionin se gjyqtari ka fshehur në deklaratë “Vetting” sponsorizimin e bërë nga L. B., në shumën 18.230.90 USD në vitin 2016, duke mos e deklaruar tek detyrimet, ndërsa vetë L. B. në cilësinë e sponsorizuesit nuk justifikoi ligjshmërinë e burimit të krijimit të të ardhurave.
Dyshimet e KPK
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari është pyetur se si e shpjegonte ai faktin se ka paguar për prenotimin e një apartamenti të pa përfunduar në Qesarakë, në rrëzë të Dajtit, shumën prej 44.000 eurosh, ndërkohë që pothuajse për një shumë të përafërt blen një apartament të përfunduar në Qytetin Studenti (zonë e preferuar) për një shumë prej 42.280 eurosh. Gjyqtari iu përgjigj kësaj pyetje duke deklaruar se: “Po të shikohet me kujdes kontrata e sipërmarrjes, sipërfaqja e banimit në Qesarakë është një shifër, në kujtesën time, se tani nuk e kam kontratën por me një sipërfaqe 127m2.
Ndërsa kontrata e shitjes në qytetin studenti është për një sipërfaqe 110 m2. Kjo diferencë, po ta mbledhësh, po ta shumëzosh me metra katrorë, besoj që është e justifikueshme diferenca prej 2.000 eurosh”. Por, sipas Komisionit pretendimi i paraqitur nga subjekti i rivlerësimit për sa i përket sipërfaqes nuk qëndron, pasi apartamenti në periferi të Tiranës, në Qesarak, është 127 m2 dhe i pandërtuar, dhe ka kushtuar në vlerën 44.625 euro ndërkohë që apartamenti i blerë nga subjekti i rivlerësimit, në Tiranë, i cili ndodhet në një zonë të preferuar dhe m2 të apartament plus garazhin janë në të njëjtë sipërfaqe 127 m2 ka kushtuar në vlerën 46.280 euro.