Vettingu në polici, gati vendimet për 36 zyrtarët e parë! Në sitë, shefa sektorësh e krerë policie në rrethe! Kreu i AMP kërkon përshpejtim të procesit

5 Dhjetor 2023, 14:05| Përditesimi: 5 Dhjetor 2023, 15:15

  • Share

Tirane- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pritet të shpallë brenda pak ditësh vendimet për vettingun në Policinë e Shtetit, i cili prej muajsh po bëhet për 72 zyrtarë të lartë.

Burime të Report Tv bëjnë me dije se komisionet prej 3 anëtarësh janë në lëvizjet e fundit për të mbyllur dosjet e para, vendimet e të cilave do të shpallen në seanca publike, për qytetarët dhe median. Duke qenë jashtë afateve të përcaktuara që më herët, komisonet mësohet se kanë punuar edhe në ditët e fundjavës së shkuar, me synim që para datës 15 dhjetor të shpallen vendimet e para, një kërkesë e shtruar edhe e kreut të ri të AMP, Florian Sulejmani i cili mori detyrën pak ditë më parë.

Salla e seancave ku do të shpalosen gjetjet në vetting për subjektet policore do të jetë ajo e mbledhjeve në ministrinë e Brendshme, e cila ka hapësirën e mjaftueshme për përfshirjen e të gjitha palëve.

Seancat e ditëve të para do të jenë për 36 subjekte, mes të cilëve drejtorë në aparatin qendror të policisë dhe drejtoritë e qarqeve, shorti i të cilave është hedhur në muajin prill, por sipas burimeve pranë AMP akoma nuk janë vendosur emrat e parë. Deri në këtë fazë, nga prilli kur AMP nisi vettingun në nivelet drejtuese janë marrë 3 vendime pa hetim. I pari për Vehbi Bushatin, ish-drejtues i Lezhës, i cili hoqi dorë nga policia dhe mori detyrën administrative si këshilltar i kreut të policisë, Muhamet Rrumbullaku.

I dyti për Oltion Bistin, i cili fillimisht si drejtues i Operacionales ishte subjekt hetimi, por ulja në detyrë si specialist te Krimet në Volum e përjashtonte nga kontrolli. Bistri u arrestua disa ditë më vonë në muajin korrik. I njëjti kusht ishte edhe për ish-drejtuesen e Infrastrukturës, Nevila Xoxa. Vettingu në Policinë e Shtetit rikthehet në një periudhë të nxehtë për strukturën, e cila po përballet me SPAK, pas arrestimit të disa prej eksponentëve të saj në lidhje të ngushtë me krimin.

Po ashtu, së fundmi ministria e Brendshme u ka kërkuar efektivave plotësimin e një formulari ku të shprehen nëse kanë përdorur “SkyECC” apo “EncroChat”, bashkë me kohën dhe arsyen e përdorimit. Në rast se po, ministria e Rendit thotë se do të ketë përjashtim të menjëhershëm nga policia.

Rasti më i fundit i evidentuar është ai i Dedan Gjonit, shef krimesh në Komisariatin nr.6 që akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit të Erzen Breçanit dhe Ervin Matës. 

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Cajupi: 31/01/2024 21:45

    E pershendes nismen per vetingun ne polici,dhe sidomos kalimin ne veting dhe kreret e policive ne rrethe.Sa me shpejte te fillohet aq me shpejte do shpetohet policia nga keta tipa qe nuk kuptojne ku i gjejne leket qe kane blere mjete si motor me vlere 200 mije Euro dhe Renxhe 2022 me vlere 150 mije Euro.Dhe me vila.Ku i ka gjetur lek ky oficer Policicis i Kufirit ne Sarande qe ka bere keto prona marramendeshme.Sepse me rroge keto prone nuk je ne gjendje ti besh.AMP ti hedhi syte dhe ne rrethe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?