Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve në Durrës, Loka do të arratisej, iu gjet arma në kotecin e pulave

10 Janar, 19:24| Përditesimi: 10 Janar, 19:25

  • Share

Xhemal Loka është mbyllur në qeli, me akuzën e fortë, se përmes dhunës së përsëritur fizike dhe psikologjike çoi gruan e tij drejt vetëvrasjes, vepër penale për të cilën rrezikon nga 3 deri në 7 vite burg.

Deri në 7 vite burg të tjera, rrezikon edhe për armëmbajtje pa leje . Në kotecin e shtëpisë së tyre në Sukth, pas tragjedisë në familje, policia i gjeti municione luftarake dhe një armë, e cila tashmë po i nënshtrohet ekspertizës për të analizuar përmes shenjave të gishtërinjve nëse kjo armë është përdorur nga Xhemal Loka. Ishin familjarët e tij që thurën skenarin se arma mund të jetë sjellë qëllimisht nga persona të tjerë për të bërë fajtor Xhemal Lokën, të cilit i kanë dalë në mbrojtje, herë duke mohuar e herë duke justifikuar dhunën ndaj gruas.

Para togave të zeza, Xhemal Loka dhunën e quajti debat normal si në çdo familje shqiptare, dhe shkakun pse gruaja e tij piu fostoksinë e gjen tek një profil në Tik-Tok.  Hetuesit po investigojnë edhe mbi profilin në Tik Tok që ishte hapur me emrin e Bedrie Lokës dhe foto të saj me shkrime që e akuzonin për imoralitet, për të gjetur se kush e ka hapur atë.

Me gjakftohtësi, vjehrra e Bedrie Lokës, pak pas humbjes së jetës të nënës së 4 nipërve të saj, nuk shprehu asnjë keqardhje për ngjarjen e rëndë, por u ndal tek 40 mijë euro që kishin humbur në banesë, që djali i kishte sjellë nga puna në Greqi, e për të cilat, sipas nënës së Xhemal Lokës, ai nuk i kërkoi llogari gruas se ku ikën paratë!

Nëna, vëllezërit dhe të afërm të Xhemal Lokës pretenduan se kanë pasur përplasje me familjarët e Bedrie Lokës ditën kur u paraqitën në polici për të dëshmuar mbi vetëvrasjen, por hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të komisariatit të Manzës për të parë nëse ky argument qëndron.

Vëllezërit e Bedrie Lokës që jetojnë në Sukth thanë se panë shenja dhune në trupin e së ndjerës e për këtë do të kërkojnë zhvarrosjen e trupit, duke akuzuar njëkohësisht se ekspertiza mjekësore që e nxori të pastër e pa shenja dhune motrën e tyre, është manipuluar.

Dyshime pati edhe për një plan të mundshëm arratisjeje nga Shqipëria, pasi në momentin e shoqërimit në polici, Xhemal Loka kishte me vete 2.800 euro dhe 27.000 lekë.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?