Veteranët: “Berisha provokon
me eshtrat e Zogut”

18 Tetor 2012, 12:56| Përditesimi:

  • Share
Prurja e eshtrave të Ahmet Zogut më 17 nëntor, me vendim të qeverisë, është mohim i Luftës Nacionalçlirimtare" dhe "sidomos mohim i luftës heroike dhe gjakut të 227 partizanëve të vrarë në këtë luftë", kanë reaguar dje anëtarët dhe drejtuesit e shoqatës së veteranëve. 

"Sjellja e eshtrave në këtë ditë të shënuar është shkelje me këmbë e gjakut të dëshmorëve për çlirimin e Tiranës. A do të pajtohet populli i Tiranës me këtë?!", është shprehur i irrituar një nga anëtarët të familjeve të dëshmorëve. "Mua më është vrarë xhaxhi 17-vjeç në këtë luftë të përgjakshme për liri", thotë Z.D., një tiranas i vjetër dhe pjesëtar i një familje dëshmorësh. 

"Këta nuk po lënë gjë pa bërë, edhe gjakun e të rënëve po përdhosin". Protestat ishin të vazhdueshme dje në kafenenë e shoqatës së veteranëve, ku shumica prej tyre nuk i ndaheshin debatit pas lajmit që kishin marrë se "Eshtrat e Ahmet Zogut do të vinë në Tiranë më 17 nëntor". 
Nuk mungonin edhe reagime më të ashpra si: "ky është provokim nga Berisha, se e ktheu përvjetorin e pavarësisë në përvjetorin e rehabilitimit të Zogut. Ka dy vjet që Berisha dhe Basha e kanë harruar ditën e çlirimit të Tiranës, por nuk e harrojnë tiranasit që derdhën gjakun e bijve të tyre". Për secilin nga veteranët ishte e kotë të këmbëngulje se kjo mund të ishte edhe një rastësi. "Nuk është rastësi vendimi për këtë data, por Berisha i kundërvihet çlirimit të Tiranës", pohoi dhe nënkryetari i kësaj shoqate Jani Capo,nipi i heroit të luftës Kristaq Capo. "Se besoj dot që një djallëzi e tillë është ulur këmbëkryq në qeverinë e sotme", tha historiani dhe politikani Paskal Milo për "Shqiptaraj.com", pasi mori vesh reagimin e veteranëve të luftës.

Zoti Capo, si e keni menduar ta festoni ditën e çlirimit të Tiranës?
-Po. Kemi nisur përgatitjet që tani. Në 17 nëntor ne do të bëjmë një tubim dhe përkujtim për dëshmorët që ranë në luftën për Çlirimin e Tiranës. Këtu nuk janë pak ata që janë vrarë. Janë vrarë shumë bij nënash, të cilët ne i kujtojmë në çdo ditë e datë të rënies së tyre heroike të luftës për çlirimin e Tiranës. Sigurisht kjo datë për ne është një datë shumë e shenjtë se për herë të parë, madje kryeqyteti ynë ishte nga të parët që u çlirua nga forcat e veta. U çlirua nga forcat partizane.

Veteranët po ankohen për faktin që, pikërisht në këtë ditë të shënuar të çlirimit të Tiranës, do të zhvillohet edhe ceremonia e sjelljes së eshtrave të Zogut, sipas vendimit të kryeministrit. A ka lidhje sjellja e eshtrave me ndonjë datë të shënuar të mbretërisë?
-Unë mendoj se Zogut i kemi dhënë atë që duhet. Edhe pse Zogu për ne ka qenë një tradhtar, një mbret i vetëshpallur, i cili e la Shqipërinë dhe iku duke marrë pasuritë e këtij vendi, sidomos floririn. Kërkoi fillimisht që të dilte kundër hordhive italiane dhe me opinga të dilte, mirëpo ky menjëherë sa filloi agresioni një ditë para u nis me falangën e vet me shumë ministra të tij duke ikur nga Elbasani në Korçë, e shkoi nga Korça për në Greqi. Dhe nuk ishin pak ata njerëz që u larguan bashkë me Zogun dhe lanë në mëshirë të fatit vendin e tyre. Megjithëse ai kishte edhe forca të armatosura në vend dhe armatime, ai e çarmatosi edhe ushtrinë mbretërore që të mos bënte rezistencë pushtuesit. U hoqi gjilpërat armëve. Megjithatë, megjithatë populli shqiptar bëri një rezistencë solide deri në 44-n.

Ju sa vjeç ishit kur u çlirua Tirana?
Duhet të kem qenë dy tre vjeç. Por këto histori ne i kemi dëgjuar nga njerëzit tanë dhe më vonë i kemi ndjekur nga studiuesit. Vendosja e datës 17 nëntor për sjelljen e eshtrave të Zogut nuk më duket e drejtë, sepse kjo është në kontradiksion për atë veprim që ne kemi luftuar armikun dhe kujtimit të të rënëve në atë ditë i bashkohet një tradhtar që e la atdheun. Dhe në fakt po të ishte ky Mbreti Zog burrë i mirë, ose mbret i këtij vendi, ky me forcat e tij duhet të luftonte hordhitë italiane që zaptuan vendin. Ky iku dhe i la në mëshirë të fatit këtë vend. Dhe unë flas në emër të gjithë veteranëve dhe atyre që dhanë jetën. Me thënë të drejtën qysh vjet ne na ra në sy harrimi i çlirimit të Tiranës nga qeveria. Zoti Lulzim Basha, kryetari i Bashkisë nuk erdhi në përkujtimore, por u mjaftua me një vizitë formale te Varrezat e Dëshmorëve. Nuk u bashkua kryetari me qytetarët e Tiranës për të festuar çlirimin e Tiranës, festë që e bëjmë çdo vit.

Si e kujtoni ditën e çlirimit të Tiranës ju dhe veteranët e tjerë?
-Çlirimin e Tiranës, ne e përkujtojmë si një luftë të ashpër që u zhvillua ato ditë me pushtuesit dhe me aleatët e tyre që ishin edhe forcat balliste. Unë mbaj mend shenjat e asaj lufte. Kam qenë shumë i vogël atëherë dhe kur edha në shkollën fillore unike këtu në Tiranë, duke qenë ende fëmijë ne futeshim në bunkerët e luftës dhe akoma kemi gjetur kasketa, gëzhoja e pasoja e gjurmë të luftës së madhe që ishte bërë. Edhe gëzhojat e ngulura në bunkerë qëndronin aty. Është bërë një luftë e ashpër. Sa shumë bijë nënash u vranë dhe shumë okupatorë lanë eshtrat këtu, dhe vijuan të vriteshin në këtë luftë të ashpër deri në ditët e fundit të 29 nëntorit, ku partizanët shkuan edhe në qytetin e Shkodrës, pasi çliruan Tiranën. Dita e Çlirimit të Tiranës është festuar me një paradë, populli përshëndeste çlirimtarët e kryeqytetit në Tiranë. Pra me një paradë përkujtimore duhet të sillet kjo ditë në vëmendje për këtë datë. Ndërsa sjellja e eshtrave pikërisht në atë ditë më duket e padrejtë. Kjo ceremoni ndoshta i kundërvihet çlirimit të Tiranës dhe është absurde të mendosh pse qeveria e sotme e ka lënë në këtë ditë sjelljen e eshtrave. 

(Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com)

(Su.Fu/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?