Opinion

Veriu i Kosovës një pikë e nxehtë e përhershme dhe 'tradhtarët' e përkohshëm

13 Tetor 2021, 20:40| Përditesimi: 13 Tetor 2021, 20:42

  • Share

Pas skadimit të afatit për marrëveshjen e arritur në Bruksel, kryeministri i Kosovës dhe qeveria që drejton vendosën të zbatojnë për targat e automjeteve parimin e reciprocitetit. Një vendim ky shumë i drejtë, të cilin e mbrojti dhe kryeministri i Shqipërisë. E kundërshtuar nga Serbia, mosmarrëveshja shpejt shihet se po shndërrohet në konflikt dhe Europa me përfaqësuesit e saj nxiton të shkojë për të shuar zjarrin në pikën e nxehtë të Ballkanit.

Rënja e regjimit të Millosheviçit hapi njëfarësoj perspektivën e vendosjes së një paqeje të qendrueshme. Kjo-në letër-sepse praktikisht ka qenë dhe vazhdon të jetë e pamundur. Krizës së vjetër mes popujve serb e shqiptar, me pavarësinë e Kosovës ju shtua dhe kriza gjeopolitike. Vendosja e kufirit ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor destabilizimi nga ana serbe. Ata, duke mos njohur e pranuar realitetin e ri, vazhdojnë të ushqejnë ëndrrën e kthimit në Serbinë e Madhe.

Për shtetin, çfarë është e si organizohet, tekstet e shkollës dhe ato më akademiket, janë e gjenden gjithkund? Nga tërësia e tyre, për ilustrimin e këtij opinioni nxjerr dhe vë në pah përcaktimin se “...shteti merr formën dhe përmbajtjen e duhur me sundimin e ligjit dhe kontrollin e territorit”. Ato shtete që quhen si të dështuara, (Somalia psh) nuk përmbushin pikërisht këto dy kushte themelore. Në rastin e Kosovës nuk përmbushet kontrolli i territorit. Pjesa veriore e saj, e banuar në shumicë me etni serbe, nuk bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës dhe ruajnë, hapur ose tërthorazi, marrëdhënjet me shtetin e Serbisë.

E keqja e kësaj pune e merr zanafillën nga koha kur politika shoveniste e Jugosllavisë, si e Karagjergjeviçëve ashtu dhe e Partisë Komuniste Jugosllave, i ndau enkas shqiptarët në disa republika, duke u hequr qëllimisht mundësinë e patjes së statusit për të qenë republikë, ndonëse popullsia shqiptare ishte shumë më e madhe se ajo e Sllovenisë, e Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ndarja administrative, përpos se u hoqi mundësinë e kontakteve me Shqipërinë, i ndau edhe mes vedit. Nuk mjaftoi kjo, por krahinës së Kosovës i hoqën Preshevën e Bujanovcin, ja kaluan Serbisë dhe nga ana tjetër i lanë Kosovës Leposaviqin. Popullsia serbe në Kosovë arrin në 6 përqind të tërësisë së banorëve, ndërsa në Leposaviq banojne rreth 18 mijë prej tyre. Figurojnë në hartën që Kosova e ka në flamur, por nuk e njohin dhe nuk e duan shtetin e Kosovës. Është as më pak e as më shumë se një tumor në trupin e shtetit të Republikës së Kosovës! Duke mos e patur në kontroll këtë territor, Kosova nuk mund të quhet plotësisht e unifikuar. Dhe, deri tani, gjasat janë që ajo të

fitojë nën trysninë e ndërkombëtarve, miq të serbisë tiparet e Bosnjës e ndarë në tre pjesë.

Këtë gjendje e di dhe e njeh Kosova. As që bëhet fjalë t’i nënshtrosh forcërisht, ndaj dhe mund të ketë qenë kryefjalë në shumë takime mundësia e ndonjë këmbimi. Vuçiq e ka kundërshtuar prerë para do kohe mundësinë e kalimit te Preshevës nën Kosovë ndërsa Veriun e Kosovës e do dhe bën çmos ta shtroj si zgjidhje në çdo tavolinë bashkëbisedimi. Në mos brënda hartës, të paktën si territor e njësi me autonomi të plotë administrative.

Ata që u ngatërruan në këtë punën e këmbimit të territoreve flasin havadan se askush dhe askund nuk ka bërë deri tani ndonjë transparencë. Bolton, më i përgojuari e që tmerroi shqiptarët para do kohe, se u mendua që po bën lojën e serbëve, e mohoi kategorikisht; Grenell deklaroi publikisht se këmbimi nuk është politikë e Trump. Ish presidenti Thaçi dhe Edi Rama morën etiketimet “Tradhëtarë”; kufoma politike, Berisha, sulmon dhe mbrohet duke thënë se e bën “Nongrata” për shkak se kundërshtoi coptimin e Kosovës; Kurti i akuzon të gjithë këta të sipërpërmendurit. Askush nuk lëviz nga instikami e llogoret e luftës. Të propozosh sot këmbim territori bën blasfemi?!

Por pika e nxehtë ngelet, atje është, e palëvizshme. Sot u rrit në temperatura edhe më, Vuçiç kërcënon me luftë në mbrojtje të serbve. E ndodhur në kufirin e epërm të Kosovës, herë-herë, kjo pikë nxehtësie zbret pak më poshtë, te liqeni i Ujmanit (apo Trump, nëse është zbatuar nënshkrimi i Hotit në Shtëpinë e Bardhë). Nacionalistët e të dy palëve nuk pranojnë t’u zësh në gojë ndonjë këmbim me erë “tradhtie”, ndaj pika e nxehtë do ngelet. Nuk e duan, por do jetë atje, e nxehtë dhe përvëluese, e ruajtur fort nga “skllevërit”. Më mirë palët jetojnë ankthin se të gjenë një zgjidhje që të pranohet nga të dy palët, qoftë dhe me trishtim e dhimbje.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?