Veriu i Kosovës do jetë përherë një pikë e nxehtë destabilizimi

2 Shkurt 2023, 11:03| Përditesimi: 2 Shkurt 2023, 11:06

  • Share

Europa dhe Shtetet e Bashkuara nuk duan një front të ri lufte në Ballkan, një front që do përshijë (me apo padashje) të paktën katër shtete! Agresioni imperialist rus në Ukrainë e ka përmbysur klimën e paqes në Europë; kërcënimet e Kinës ndaj Taivanit kanë marrë tipar thellësisht agresiv; alenacat Rusi-Kinë-Iran, flasin shumë për të ardhmen e pasigurtë të paqes në botë. Kaq janë mjaftueshëm dhe një front lufte në Ballkan vërtet do ishte tepër!
Ky është shkaku pse dipllomacia e niveleve të larta të Perëndimit kanë zbarkuar në Kosovë, me qëllim që të bindin autoritetet e atjeshme të pranojnë një projek franko-gjerman, ku më së shumti dimë prej draftit të fondacionit Friedrich Ebert Stiftung për asosacionin serb. Veriu i Kosovës dhe disa komuna të tjera fitojnë statusin e (pak a shumë) të shtetit brënda shtetit. Idem si Republika Srpska. Ambasadori amerikan në Prishtinë sot thoshte që nuk do jetë kështu, por flamuri, stema, financa, vetadministrimi, pushteti i Serbisë, etj., flasin ndryshe.

kryeministri i Kosovës e quan të pa vend këtë kërkesë dhe për argument sjell se: së pari Serbia ta zbatojë të tillë asociacione në Serbi për 20 përqind të popullatës që përfaqësojnë kombësi të tjera nga serbët, ndërkohë që në Kosovë të tilla komunitete përfaqësojnë vetëm 7 përqind!? Dhe ka të drejtë!

Serbia nuk ka gjasa se bën lëshime për Preshevën se ndjehet e fortë, superiore, dhe se mbrapa ka Rusinë si strehë e mbrojtje. Mbrapa Kosovë qëndron Shqipëria, që ndjehet dhe është në fakt më e dobët në numra, moral e dipllomaci, me pak miq e shumë më pak mbështetje. Kundërshtuar nga Serbia, një këmbim territoresh as që bëhet fjalë! Ata që e propozuan do kohë më parë, nga Kurti u shpallën armiq!

Pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, mëndjelehtët sollën në sininë e mosmarrëveshja targat, reciprocitetin. Shpejt (siç u pa) u shndërrua në konflikt dhe Europa me përfaqësuesit e saj nxitoi të shkojë për të shuar zjarrin në pikën e nxehtë të Ballkanit.

Krizës së vjetër mes popujve serb e shqiptar, me pavarësinë e Kosovës ju shtua dhe kriza gjeopolitike. Vendosja e kufirit ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor destabilizimi nga ana serbe. Ata, duke mos njohur e pranuar realitetin e ri, vazhdojnë të ushqejnë ëndrrën e kthimit në Serbinë e Madhe. Kjo, me agresionin e Rusisë ne Ukrainë, shtoi shpresat e tyre se do e rimarrin Kosovën. Sikur të mos mjaftonte kjo, doli dje dhe një sociopat që mban postin e presidentit të Kroacisë dhe i hodhi benzinë entuziazmit serb, duke u dhënë pikërisht atyre që e maskaruan popullin kroat gjatë procesit të shkëputjes, një farëlloj mbështetje idiote.

“…shteti merr formën dhe përmbajtjen e duhur me sundimin e ligjit dhe kontrollin e territorit”. Në rastin e Kosovës, duke patur mish të huaj Veriun, një kancer në trup, nuk ka gjasa të përmbushet kontrolli i territorit. As ka qenë dhe as do jetë e mundur! Pjesa veriore e saj, e banuar në shumicë me etni serbe, në kufi homogjene me serbinë, nuk bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës dhe ruajnë hapur të gjitha marrëdhënjet me shtetin e Serbisë. Albin Kurti dhe kushdo tjetër qoftë në vend të tij, nuk do jetë në gjendje të shtrijë autoritetin e shtetit të Republikës së Kosovës mbi atë territor!

Kjo copë, askush të mos e vejë në dyshim se ju la qëllimisht rajonit autonom të Kosovës. Politika shoveniste e Jugosllavisë, njëlloj si e Karagjergjeviçëve, ashtu dhe e Partisë Komuniste Jugosllave, i ndau enkas shqiptarët në disa republika, duke u hequr qëllimisht mundësinë e patjes së statusit për të qenë republikë, ndonëse popullsia shqiptare ishte shumë më e madhe se ajo e Sllovenisë, e Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ndarja administrative, përpos se u hoqi mundësinë e kontakteve me Shqipërinë, i coptoi edhe mes tyre. Nuk mjaftoi kjo, por krahinës së Kosovës i hoqën Preshevën e Bujanovcin, ja kaluan Serbisë dhe nga ana tjetër i lanë Kosovës Leposaviqin.

Popullsia serbe në Kosovë arrin në 6 përqind të tërësisë së banorëve, ndërsa në Leposaviq banojnë rreth 18 mijë prej tyre. Kosova nuk mund të quhet plotësisht e unifikuar, duke mos e administruar këtë territor.

T’i nënshtrosh forcërisht, siç nënshtron Serbia Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin, nuk bëhet fjalë se s’kanë këllqe (prapë punë numrash). U bë kryefjalë në shumë takime mundësia e ndonjë këmbimi në kohën e Thaçit, që Kurti e quajt tradhti. Shtuan dhe Ramën si bashkëpunëtor në tradhti. Më tej, me ndihmën e Rusisë ja bënë të mundur që Thaçi me drejtuesit e tjerë të Lufës për Liri t’i çojnë në burgun e Hagës. Vuçiq e ka kundërshtuar prerë para do kohe mundësinë e kalimit te Preshevës nën Kosovë ndërsa Veriun e Kosovës e do dhe bën çmos ta shtroj si zgjidhje në çdo tavolinë bashkëbisedimi. Në mos brënda hartës, të paktën si territor e njësi me autonomi të plotë administrative.

Për këmbimin e territoreve askund nuk kemi dëgjuar të bëjë deri tani ndokush ndonjë transparencë. Në kohën e Tramp, ishte Bolton-i ai që i bëri shqiptarët të flasin me vete, se u mendua që po bën lojën e serbëve, por këtë version ai pas ca kohe e mohoi kategorikisht. Kësaj ju shtua dhe Grenell, i cili deklaroi publikisht se këmbimi nuk është politikë e Trump!

Pika e nxehtë e destabilizimit është atje ku ka qenë, është e palëvizshme gjeografikisht, politikisht dhe sidomos etnikisht. Liqenit të Ujmanit ende nuk kanë filluar ta thërrasin “Liqeni Trum” dhe nacionalistët e të dy palëve nuk pranojnë t’u zësh në gojë ndonjë këmbim me erë “tradhtie”, ndaj pika e nxehtë do ngelet. Nuk e duan, por do jetë atje, e nxehtë dhe përvëluese.

Duhet domosdo një zgjidhje. Në rrethanat e krijuara, në kushtet e presionit të lartë ndërkombëtar, të shumëfishuar me të drejtë, nuk e kuptoj se pse Kurti nuk ja çon draftin franko-gjerman Gjykatës Kushtetuese, sepse është pikërisht ky institucion që e quajti antikushtetuese krijimin e Asociacionit të komunave serbe?!

Për Kurtin ka edhe një zgjidhje të fundit: të japë dorëheqjen nga posti dhe të lërë institucionet e larta të vendosin.

Pesha e vendimmarrjes është e rëndë dhe shpatullat e tij nuk e mbajnë dot!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?