Verdiktet/ Estradë në javën e fundit të Superligës, Tirana jashtë garës për titull! Vllaznia luan me ekipin U-19, Skënderbeu e mposht 1-5 dhe siguron 'Final 4'

11 Maj, 18:02| Përditesimi: 11 Maj, 19:46

  • Share

Superliga shqiptare e futbollit mbylli sezonin e rregullt. Java e 36-të dhe e fundit pritej me interes, teksa gara u cënua kur skuadrat ishin ende brenda objektivave. Në bazë të pikëve, Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu do garojnë në "Final 4" për titullin kampion. Ndërkohë që paçka suksesit 0-3 kundër Egnatias dhe tri pikët që mungonin për tre ndeshje, Tirana është jashtë garës për titullin kampion.

Në "Loro Boriçi" Vllaznia humbi 1-5 nga Skënderbeu. Gara u cënua pa nisur ndeshja në fushë, me shkodranët që në këtë duel luajtën me ekipin U-19, duke "i falur" në një farë mënyre korçarëve vendin e katërt, edhe pse ishin katër skuadra që e shpresonin.

Në Rrogozhinë, Egnatia "nxjerr nga gjumi" Tiranën, teksa bardheblutë fituan 0-3, me miqtë që edhe fazën e dytë kishin fituar 0-5 kundër ekipit që dominoi sezonin dhe e mbylli në vendin e parë edhe për shkak të ndeshjeve direkte me Partizanin (tre barazime 1-1 dhe një fitore 2-1). Patrick e festoi ditëlindjen e 26-të me dopietë.

Ndeshja në "Arenën e Demave" ishte pa histori, me Partizanin që fitoi 4-0 kundër Erzenit. "Demat" mbetën edhe me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Gjergji Kotes.

Në "Niko Dovana" Teuta iu fal një goli të vonë nga Fili duke mundur 1-0 Dinamon. Ndërkohë që Laçi fitoi 2-0 kundër Kukësit.

Kështu, në shortin e "Final 4" që hidhet të hënën do garojnë Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu. Laçi i vendit të tetë do garojë në "play-out", teksa Erzeni dhe Kukësi do luajnë në Kategorinë e Parë.

Për t'u theksuar se Egnatia dhe Kukësi më 14 maj do diskutojnë Kupën e Shqipërisë dhe në rast se Egnatia merr trofeun, do jetë vendi i katërt i "Final 4" që do marrë pjesë në kualifikueset e Conference League.

Nëse marrim rastin më të keq se Skënderbeu del në pozitën e katërt në Final 4, atëherë korçarët do merrnin pjesë në Conference League, gjë që s'mund të ndodhë pasi Skënderbeu vijon të jetë i dënuar nga UEFA me mospjesëmarrrje në Kupat e Europës.

Në të tilla kushte, FSHF ende nuk e ka të qartë sesi do zgjidhet një ngërç i tillë, me Tiranën që e mbylli sezonin e rregullt në Superligë në vendin e pestë dhe shpreson të përfitojë.

Superliga, raundi i 36-të (i fundit):

E shtunë, 11 maj 2024 - 16:00

Egnatia 0-3 Tirana (Patrick 12', 14', Abazaj 47')

Laçi 2-0 Kukësi (Sobouale 22', Barjamaj 67')

Partizani 4-0 Erzeni (Mba 10', 45', Skuka 21', Mehmeti 43')

Teuta 1-0 Dinamo (Fili 90+3')

Vllaznia 1-5 Skënderbeu (Halili 12' / Liço 5', Rashica 19' (p), Nikaj 60', Djantu 63', Merlim 76')

Renditja:

Ora 19:45
Ivan Gvozdenovic: Faleminderit shkodranëve, tani i dua përballë në finale


Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic foli pas fitores së korçarëve 1-5 në Shkodër kundër Vllaznisë. Skënderbeu siguroi "Final 4" dhe do garojë për titullin kampion, ndërsa Vllaznia duelin e sotëm e luajti me ekipin U-19.

"Pikë së pari, nga unë dhe të gjithë korçarët, faleminderit nga zemra tifozëve shkodranë të Vllaznisë. Çfarë të themi, jemi të emocionuar. Shumë të kënaqur patjetër se rezultati ishte shumë i mirë për çunat. Jo 5-1, e them për “Final 4”.

Vllaznia ka një skuadër shumë të mirë dhe do Zoti të shkojë në finale. Për çunat është një sukses shumë i madh, do shkojmë në “Final 4”. Tani i kemi një ditë pushim dhe nga e hëna do përgatitemi për “Final 4”. Jemi patjetër shumë të lumtur dhe të kënaqur.

Shorti është i fortë. Egnatia dhe Partizani… Vllaznia është skuadër shumë e fortë. Tani për ne nuk është shumë e rëndësishme kush do jetë ne short, jemi gati dhe do ta shohim.

Takim me Alban Xhaferin? Patjetër u takova edhe me presidentin e Vllaznisë dhe ai tha do luajmë në finale Vllaznia - Skënderbeu. I thashë pse jo. Pastaj ta shohim nëse mund të shkojmë në finale, është e bukur.

Por të mos flasim shumë më përpara. Në gjithë sezonin Nikaj ishte mirë, ishte një lojtar i mirë. Një lojtar nga Shkodra, një lojtar me shumë cilësi që është edhe me Shqipërinë U21. Jam i kënaqur me të”, tha Gvozdenoviç për mediet.

Ora 19:22
Toleruan dhe luajtën me ekipin U-19, Thomas Brdaric: U dhamë pushim titullarëve, dua përballë Partizanin

1714131997_thomasbrdaric.jpg

Vllaznia humbi 1-5 kundër Skënderbeut për javën e fundit të Superligës. Tri pikët i dhanë korçarëve mundësinë për "Final 4", me katërt ekipet e para që do garojnë për titullin kampion.

Në ndeshjen e së shtunës Vllaznia luajti me ekipin U-19, duke cënuar garën, pasi ishin katër ekipi në 'luftë' për vendin e katërt. Pas ndeshjes për mediet trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric tha se dy objektiva janë siguruar.

"Sot ishte një ndeshje speciale sepse shumë lojtarë i lamë pushim për t’u rikuperuar dhe i dhamë disa lojtarëve minuta në Superligë. Jemi një situatë të mirë sepse rezultati nuk ishte deçiziv.

Për lojtarët e rinj ishte një ditë e mirë për të treguar cilësitë e tyre. Shënuam një gol me Halilin. Në pjesën e parë u mbrojtën mirë, kurse për të dytën nuk dua të flas.

Objektivi i parë për Vllazninë ishte për të shkuar në “Final 4” dhe i dyti për të shkuar në Conference League. Sukses i madh për klubin dhe tani gjithçka është i hapur për “Final 4”.

Mendoj që në gjysmëfinale do të jemi kundër Partizanit. Të gjitha ndeshjet do t’i marrim me profesionalizëm, me ekipin e plotë. Jam shumë i kënaqur që arritëm “Final 4” dhe tani duhet të përqendrohemi për javët në vazhdim.

Finale Vllaznia kundër Skëndërbeut? Do të jetë ndryshe… edhe unë do të luaj në finale (qesh)", tha trajneri i Vllaznisë.

Ora 18:51
'Maratonën e mbyllëm të parët', trajneri i Egnatias: Tani dua Kupën, ftoj edhe tifozët e Tiranës të na mbështesin

1715446339_1681544192tetova.jpg
Egnatia humbi 0-3 kundër Tiranës në javën e fundit të Superligës. Paçka dështimit, rrogozhinasit e mbyllin sezonin e rregullt në krye me 63 pikë, njëjtë sa Partizani, por me ndeshjet direkte më mirë.

Tanimë skuadrat do mësojnë të hënën përballjet "Final 4", ndërsa finalja e sezonit për të mësuar skuadrën kampione do luhet më 26 maj në "Air Albania". Pas ndeshjes për MCN trajneri i Egnatias, Edlir Tetova tha se fokusi së pari do jetë te finalja e Kupës së Shqipërisë më 14 maj kundër Kukësit.

"Nuk të vjen mirë për rezultatin. Na duhet mobilizim. Është e vërtetë që lamë 3-4 lojtarë pushim, por duhet të ishim më mirë në organizmin e ndeshjes. Nuk kam preferencë në short, janë ndeshje finale. Janë ndeshje të forta. Kushdo ekip të jetë, do të jetë ndeshje finale. Rotacioni ishte vetëm për të pushuar lojtarët. Nuk jam dakort që ritmi të bjerë.

Na duhet vazhdimësi. Tani do të fokusohemi te Kupa. Në pjesën e maratonës kemi dalë të parët. Tani kërkoj Kupën që të bëhet e dyta dhe pastaj kampionatin që të bëhen tre. A i pres tifozët e Tiranës në finale? Pse jo?! Do ishte një mbështetje më tepër", tha Edlir Tetova.

Më rast se Egnatia fiton Kupën, katër skuadrat e Final 4 (Egnatia, Partizani, Vllaznia, Skënderbeu) do shkojnë në Evropë, teksa shpreson edhe Tirana që u rendit e pesta. Kjo për shkakun se Skënderbeu është i dënuar nga UEFA dhe nuk mund të luaj në Evropë. Duket se Tirana ka një shans për të qenë në Evropë, kjo nëse Egnatia fiton Kupën e Shqipërisë.

 

Ora 18:22
FSHF kapet në befasi, skema e 'Final 4' e paqartë për Evropën! Tirana shpreson për Conference League


Superliga shqiptare e futbollit mbylli këtë të shtunë raundin e 36-të dhe të fundit të sezonit të rregullt. Tanimë do jenë katër vendet e para (Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu) që do garojnë në "Final 4" për titullin kampion.

Skema e FSHF-së sjell paqartësi sa i takon Evropës, pasi Skënderbeu është i dënuar nga UEFA dhe nuk mund të luajë. Në të tilla kushte, Tirana që është në vendin e pestë shpreson që Egnatia të triumfojë në Kupën e Shqipërisë kundër Kukësit më 14 maj dhe rrjedhimisht bardheblutë do jenë në fazën kualifikuese të Conference League, edhe pse jashtë "Final 4".

Një amulli e skemës që do duhet të konfirmohet nga FSHF-ja, pasi shanset që të ketë një skenar të tillë ekzistojnë.

Skema dhe shorti i "Final 4" / Shorti për “Final Four” në Superligë do të hidhet të hënën më datë 13 maj, në orën 12:00, në stadiumin “Air Albania” në sallën e konferencave për shtyp.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë presidentë e përfaqësues të klubeve të kualifikuar në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias dhe zyrtarët e FSHF-së. Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu janë skuadrat që kanë siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”.

Të gjitha ndeshjet e “Final Four” do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 17-26 maj. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më datë 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër në po të njëjtën orë më 19 maj.

Finalja për vendin e tretë/katërt është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00.

SI FUNKSIONON “FINAL 4”

Ekipet pjesëmarrëse

4 vendet e para të “Abissnet Superiore” në përfundim të kampionatit të rregullt.

Shorti

Ekipet ndahen në dy vazo, vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë), vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë.

Finalet

Ekipet e kualifikuara nga gjysmefinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë.

ÇFARË PËRFITOJNË KLUBET SPORTIVISHT

Vendi i parë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League

Vendi i dytë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i tretë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i katërt në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në Final 4

Renditja e sezonit të rregullt në Superligë
S.DH/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tironsi: 11/05/2024 23:55

    Kur ndeshja tolerohet ashiqare, dhe vendos renditjen perfundimtare, cfare duhet te beje FSHF? Apo 1-5 ishte rezultat i pritshem, edhe sikur Gjergj Kastrioti i vertete te kishte lujte sot po mos te kishte toleru Vllaznia sot Korça nuk kishte fitu kurre as 0-1 e jo mo 1-5.Jo per gje por kerkojne ti mbushin stadiumet plot pastaj. Ja ti mbushin me mijerat e Korçaréve tani.

    Përgjigju
  • Luli: 11/05/2024 21:14

    Te luash me 17-18 vjecare ne ndeshje percaktuese per 4 skuadra, pandershmeri e madhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Italisë sfidën e parë në Euro 2024, kush fiton?