Kronikë

Vendimi që trondit zyrtarët, SPAK e BKH akses të plotë për të kontrolluar lëvizjet e parave të dyshimta në llogaritë bankare

9 Korrik 2021, 18:37| Përditesimi: 9 Korrik 2021, 18:58

  • Share

Ngushtohet laku për pushtetarët e korruptuar dhe për cilin do që qarkullon para të dyshimta në sistemin bankar. Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim, i cili u jep SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që të kenë akses të përhershëm, për t’u futur dhe verifikuar në çdo kohë të gjitha llogaritë bankare në regjistrin qendror si dhe në kasafortat. Sipas vendimit, akses të plotë në llogaritë bankare do të kenë edhe Shërbimi Informativ i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Ndërkaq, akses në llogaritë bankare dhe kasafortat, do të jenë, por me kufizime, edhe ILDKP-ja, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme të Doganave si dhe drejtoritë e taksave dhe të tarifave pranë njësive të qeverisjes vendore. Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të garantojë funksionimin e regjistrit të llogarive bankare dhe të kasafortave, duke përditësuar çdo lëvizje të parave. Hyrja në këtë regjistër do të bëhet nga SPAK dhe BKH-ja drejtpërdrejtë në mënyrë elektronike përmes një kodin.

SPAK dhe BKH-ja do të paraqesin një kërkesë për t’u pajisur me kodin e hyrjes në regjistër tek Drejtoria e Tatimeve, bashkë me të dhënat e personave të autorizuar prej tyre për të pasur akses në llogaritë bankare. Personat e autorizuar duhet të jenë prokurorë ose hetues të BKH-së, pjesa tjetër e administratës nuk lejohet. Aksesi në llogaritë bankare është një tjetër armë e fortë në duart e SPAK dhe BKH për të goditur korrupsionin dhe pastrimin e parave në Shqipëri.

VENDIMI I PLOTE

RREGULLAT E AKSESIT TË SUBJEKTEVE TË INTERESUARA NË BAZËN E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT QENDROR TË LLOGARIVE BANKARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë nivelin e aksesimit të subjekteve të interesuara, të përcaktuara në pikën 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, në bazën e të dhënave shtetërore, Regjistri Qendror i Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë, në vijim Regjistri, në përputhje me parashikimet e nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, si dhe të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr.945, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Administrimi i sistemit të bazave të të dhënave shtetërore””, të ndryshuar.

2. Në përputhje me nenin 6, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garantojnë funksionimin normal, pa ndërprerje të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton funksionimin e përditësuar të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë.

4. Institucionet financiare janë përgjegjëse për saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara në Regjistër.

II. KRITERET PËR PËRDORIMIN E REGJISTRIT DHE AKSESIN PËR PËRDORUESIT

1. Aksesi i subjekteve të interesuara në regjistrin qendror të llogarive bankare kryhet drejtpërdrejtë në mënyrë elektronike përmes të dhënave për përdoruesin dhe kodin hyrës.

2. Subjektet e interesuara, sipas pikës 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, përcaktojnë përdoruesit që do të kenë akses në të dhënat e këtij Regjistri, bazuar në kriterin nevojë për njohje.

3. Kërkesa me shkrim për pajisjen me kodin hyrës i paraqitet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke bashkëlidhur për secilin përdorues të dhënat sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pajis me kod hyrës secilin përdorues brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e kërkesës me shkrim.

5. Kodet hyrëse nuk mund t’u bëhen të ditur personave të tretë, të ndryshëm nga përdoruesit.

6. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ i Shtetit paraqesin kërkesë për pajisje me kodet hyrëse pa zbuluar identitetin e përdoruesit. Në këtë kuptim, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ i Shtetit do të jenë mbajtës/përgjegjës të kodeve hyrëse dhe me akt të brendshëm duhet të bëjnë identifikimin e kodit me përdoruesin.

7. Përdoruesit duhet të përdorin të dhënat e përfituara nga regjistri vetëm për qëllime të përmbushjes së detyrave funksionale, duke zbatuar legjislacionin në fuqi.

8. Ekstrakti i rezultatit të kërkimit në regjistër mundësohet on-line menjëherë dhe mund të shkarkohet apo të printohet nga përdoruesit i firmosur në mënyrë digjitale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

9. Subjektet e interesuara i ruajnë të dhënat e mbledhura nga regjistri, jo më gjatë sesa koha e parashikuar në nenin 11, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

10. Regjistri aksesohet vetëm nga përdoruesit të subjekteve të interesuara.

III. LLOJI I TË DHËNAVE TË AKSESUESHME NGA PERDORUESIT E AUTORIZUAR NGA SUBJEKTET E INTERESUARA

1. Subjektet e interesuara si më poshtë:

a) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;

b) Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm;

c) Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

ç) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;

d) Byroja Kombëtare e Hetimit;

dh) Shërbimi Informativ i Shtetit;

kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, nëpërmjet përdoruesve të autorizuar prej tyre.

2. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nëpërmjet përdoruesve të autorizuar ka akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, përveç të dhënave sipas pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në ushtrim të funksioneve të saj për mbledhjen e të ardhurave nëpërmjet personave të autorizuar, ka akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pa filtruar në të dhënat e regjistrit.

4. Drejtoritë e taksave dhe të tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet përdoruesve të autorizuar prej tyre, kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, përveç të dhënave:

a) sipas pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”;

b) sipas shkronjave “e”, “ë”, “f” dhe “g”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

5. Subjektet e interesuara nuk kanë kufizime në numrin e personave që mund të autorizohen për të pasur akses në Regjistër, por kanë kufizime në kategorinë e punonjësve që mund të autorizojnë, më konkretisht:

a) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimin Informativ të Shtetit, përdoruesit e autorizuar trajtohen sipas pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi;

b) Për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, përdoruesit e autorizuar janë vetëm prokurorët dhe punonjësit që sipas ligjit gëzojnë statusin e oficerit të policisë gjyqësore, pa përfshirë administratën;

c) Për Inspektoratin i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave përdoruesit e autorizuar janë vetëm inspektorët, të cilët janë përgjegjës për kontrollin e pasurisë, pa përfshirë administratën;

ç) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në ushtrim të funksioneve të saj për mbledhjen e të ardhurave, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara, kontrollin e specializuar dhe hetimin tatimor, pa përfshirë administratën;

d) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve dhe hetimin doganor, pa përfshirë administratën;

dh) Për drejtoritë e taksave dhe tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve, pa përfshirë administratën;

e) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore krimin ekonomik dhe financiar, financimin e terrorizmit dhe gjurmimin e aseteve.

6. Nëse subjektet e interesuara konstatojnë se të dhënat e raportuara apo të mbajtura në Regjistër janë të pasakta apo të paplota, njoftojnë pa vonesë njësinë përgjegjëse për Regjistrin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

7. Institucionet financiare nuk raportojnë të dhëna për gjëndjen e llogarive bankare dhe përmbajtjen e kastave të sigurisë, me përjashtim të rasteve ku përcaktohet me vendim gjyqësor.

8. Regjistri mundëson edhe kërkim historik në të dhënat e regjistrit të mbledhura sipas nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Subjektet e interesuara njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në rastet kur punonjësit e autorizuar për akses në këtë Regjistër pezullohen apo largohen nga detyra. Njoftimi bëhet brenda 24 orëve nga pezullimi apo largimi i punonjësit nga institucioni përkatës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, menjëherë, por jo më vonë se 48 orë nga marrja e njoftimit, realizon bllokimin e kodeve hyrëse për punonjësit përkatës.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, apo çdo person tjetër i përfshirë në krijimin, mirëmbajtjen apo administrimin e Regjistrit, nuk mund të gjurmojnë apo prodhojnë raporte për aktivitetin e kërkimit dhe përdorimit të këtij Regjistri nga subjektet e interesuara të përcaktuara në pikën 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, përveç rasteve kur një raport i tillë kërkohet nga vetë këto institucione.

3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Komento

Komente

  • so fair, so good: 10/07/2021 09:20

    Ne parim eshte nje normative e drejte dhe tejet e vonuar ne kohe. Per me tej, si jo rralle here, po i hapet perseri rruge konfuzionit dhe mungeses se Kushtetueshmerise ne hartimin dhe futjen ne fuqi te akteve te kesaj natyre duke i bere ato lehtesisht te atakushme nga avokatet profesioniste (si ndodh ne prcedimet dhe gjyqet qe kane per baze pergjimet!) per shkelje te Kushtetutes. Pyetjet edhe ketu jane: A eshte Kushtetuese qe te jete Qeveria ajo e cila percaktoje me nje VKM edhe sjelljen e Organeve te tjera Kushtetuese te Pavarura sic jane Prokurorite dhe Gjykatat, e posacerisht SPAK dhe GJKKO? Persr kjo norme e domosdoshme per punen sa me te shpejte dhe efikase nuk kalua se pari ne Parlament, ne Komisionin e Ligjeve e pastaj me votim ne Salle? Perse kjo norme, e domosdoshme per punen sa me te shpejte dhe efikase te ketyre dy strukturave Kushtetuese te Pavarura nuk u nis te hartohej ne kohen e duhur, te pakten tre vjet perpara, qe ne 19 dhjetor 2019, me krijimin e SPAK te ishte ne Fuqi?

    Përgjigju
    • so fair, so good: 10/07/2021 10:34

      Ne parim eshte nje normative e drejte dhe tejet e vonuar ne kohe. Per me tej, si jo rralle here, po i hapet perseri rruge konfuzionit dhe mungeses se Kushtetueshmerise ne hartimin dhe futjen ne fuqi te akteve te kesaj natyre duke i bere ato lehtesisht te atakueshme nga avokatet profesioniste (sic po ndodh ne procedimet dhe gjyqet qe kane per baze pergjimet!) per shkelje te Kushtetutes dhe si te tilla te pavlefshme. Pyetjet edhe ketu jane: – A eshte Kushtetuese qe te jete Qeveria ajo e cila percakton me nje VKM edhe sjelljen e Organeve te tjera Kushtetuese te Pavarura sic jane Prokurorite dhe Gjykatat, e posacerisht SPAK dhe GJKKO? Perse kjo norme e domosdoshme per punen sa me te shpejte dhe efikase te SPAK e GJKKO nuk kalua se pari ne Parlament, ne Komisionin e Ligjeve e pastaj me votim ne Salle? Perse kjo norme, e domosdoshme per punen sa me te shpejte dhe efikase te ketyre dy strukturave Kushtetuese te Pavarura, SPAK e GJKKO, nuk u nis te hartohej ne kohen e duhur, te pakten tre vjet perpara, qe ne 19 dhjetor 2019, me krijimin e SPAK te ishte ne Fuqi?

  • Iris: 10/07/2021 01:42

    Po llogarite bankare,dhe kutite bankare jashte shtetit, te personave te dyshuar do te kene te drejte t'i kontrollojne SPAKU e BKH ?

    Përgjigju
  • Shpellari king: 09/07/2021 22:17

    Emrat e atyre qe kane fituar listene bkh jane totalisht emra miqsh e te afermish me pushtwtaret e sotem. Do ja u degjoni shume shpejt kengen....

    Përgjigju
  • XXX: 09/07/2021 21:22

    E ça karrin do gjejne kto duke pas akses ne llogarite bankare? Ata qe kane lek te pidta nuk i çone ne banke i mbajne ne shpi posht jastekut. A thua se dri me sot nuk kan pas akses. Ne shqiperi mer info per llogarite e nje personi kur te duash, mjaft te njofesh dike qe punon ne banke.

    Përgjigju
  • SKADAL: 09/07/2021 20:31

    Kjo eshte totalisht e paligjshme dhe kushtuta do ta rrezoj si te tille! Keshtu demtohen bizneseset sepse shume zyrtare te korruptuar ka ne te gjitha ato istitucione qe permenden, te cilet nuk do bejne gje tjeter vecse do u fillojne tu vejne gjoba qytetareve!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?