Foto ilustruese

Vendimet e qeverisë/ Ngrihet Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të pakthyera

13 Dhjetor 2023, 20:22| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 23:07

  • Share

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin për ngritjen e Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të pakthyera.

Sipas vendimit të qeverisë, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera (në vijim, Agjencia) është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat, me seli në Tiranë. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit. 

Agjencia ka për mision sigurimin e menaxhimit të skemave të veçanta të garancive të huas, si dhe trajtimin e kredive të transferuara nga bankat tregtare të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror pas privatizimit të tyre, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”.

Agjencia ka këto përgjegjësi:

a) Organizimin e punës për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore të huas;

b) Organizimin e punës për kthimin e garancive, huave dhe nënhuave;

c) Organizimin e punës për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat tregtare të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror pas privatizimit të tyre;

ç) Organizimin e punës për trajtimin e portofolit të investimeve të kryera në banesa nga shoqëria “INSIG”, sh.a., para privatizimit të saj.

Si do të bëhet porganizimi dhe funksioni i agjencisë?

"1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Agjencia organizohet në nivel qendror. 2. Me qëllim përmbushjen e misionit, të funksioneve dhe të përgjegjësive funksionale të saj, Agjencia:

a) mbledh detyrimet e huamarrësve kundrejt ministrisë përgjegjëse për financat për detyrimet që kanë lindur si rezultat i pagesës së garancive nga ministria përgjegjëse për financat dhe si rezultat i marrëdhënies së huadhënies e nënhuazimit të fondeve;

b) verifikon dhe konfirmon përmbushjen e kërkesave të marrëveshjeve të garancisë në tipat e kontratave bankare;

c) administron informacionin dhe dokumentacionin e skemave të veçanta të garancisë;

ç) monitoron shlyerjen e detyrimeve të huamarrësve ndaj ministrisë përgjegjëse për financat për pagesat e kryera nga kjo e fundit, në kuadër të marrëveshjeve të garancisë;

d) kryen mbikëqyrjen e kushteve financiare të të gjithë huamarrësve, që kanë marrë garanci nga skemat që ajo menaxhon dhe u kërkon huamarrësve informacionin e nevojshëm për realizimin e kësaj mbikëqyrjeje.

3. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për financat. Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët. Ai emërohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, sipas përcaktimeve të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”.

4. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

5. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të nëpunësve dhe të punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës.

6. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjellja e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.

7. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e Agjencisë ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

8. Vula e Agjencisë ka elementet dhe formën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në vendim e këshillit të ministrave.

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Toni: 13/12/2023 22:29

    Ishalla e heqin ate drejtorin hajdut qe eshte aty! Lango dhe emrin e vet sdi me e shkrujt!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?