Projekti për stadiumin 'Skënderbeu'

Vendimet e qeverisë: FSHZH do kryejë procedurat e prokurimit për projektin e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë

4 Tetor 2023, 21:21| Përditesimi: 4 Tetor 2023, 22:55

  • Share

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për zbatimin e projektit për zhvillimin e zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, përfshirë stadiumin.

"Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për zbatimin e projektit për zhvillimin e zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, përfshirë stadiumin. Në funksion të zbatimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë: a) të gjitha procedurat sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre dhe të projektit përkatës, duke përdorur fonde nga programet aktuale të zhvillimit; b) paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e të procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit", thuhet në vendim.

Stadiumi “Skënderbeu” do të transformohet në një kompleks sportiv me shërbime të ndryshme, duke ndjekur modelin e suksesshëm dhe shumë funksional të Stadiumit “Air Albania” në kryeqytet, falë iniciativës së qeverisë për rikonceptimin dhe rizhvillimin e komplekseve sportive dhe të stadiumeve të futbollit në qytetet Durrës, Korçë dhe Vlorë, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

Në muajin shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit/ Atelier Albania hapën thirrjen për pjesëmarrje në Konkursin Ndërkombëtar për Projekt-Ide, ku në finale u përzgjodhën 3 finalistë me prestigj në skenën bashkëkohore të arkitekturës, ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë), të cilat sot nisën prezantimin e propozimeve arkitektonike për rizhvillimin  e  Kompleksit të Stadiumit.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?