Turistët në Peru

Vendi në gjendje të jashtëzakonshme prej rrëzimit të Presidentit, rreth 300 turistë të bllokuar në Machu Picchu mes protestave në Peru

17 Dhjetor 2022, 07:41| Përditesimi: 17 Dhjetor 2022, 07:43

  • Share

PERU-Rreth 300 turistë nga e gjithë bota kanë mbetur të bllokuar në qytetin antik të Machu Picchu, pasi Peruja u zhyt në gjendje të jashtëzakonshme pas rrëzimit të presidentit të vendit. Ish-presidenti Pedro Castillo u fajësua dhe më pas u arrestua në fillim të dhjetorit pasi njoftoi planin e tij për të shpërndarë Kongresin. Trazirat e shkaktuara nga arrestimi i tij kanë nxitur paralajmërime ndërkombëtare për të mos udhëtuar në Peru.

Darvin Baca, kryebashkiaku i Machu Picchu, tha se ndër udhëtarët e bllokuar ka peruanë, amerikano jugor, amerikanë dhe evropianë.

 “Ne i kemi kërkuar qeverisë të na ndihmojë dhe të vendosë fluturime me helikopterë për të evakuuar turistët. E vetmja mënyrë për të hyrë dhe dalë nga qyteti është me tren dhe këto shërbime janë pezulluar deri në një njoftim të dytë”, tha Baca.

Trenat për dhe nga Machu Picchu, mjeti kryesor për të hyrë në Vendin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, u ndaluan të martën.

"Peru Rail tha se ata ende po shqyrtojnë situatën," shpjegoi Baca.

Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qytetarët amerikanë të bllokuar në Peru, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Ambasada amerikane në Peru tha në një deklaratë herët të premten se qeveria e Perusë po organizon një evakuim të të huajve nga Aguas Calientes, një qytet që shërben si pika kryesore e hyrjes në Machu Picchu.

Kryebashkiaku Baca paralajmëroi gjithashtu se Machu Picchu po vuan tashmë nga mungesa e ushqimit për shkak të protestave dhe ekonomia lokale mbështetet 100% në turizëm. Baca i bëri thirrje qeverisë, e udhëhequr nga presidentja e re Dina Boluarte, të vendosë një dialog me popullsinë vendase për t'i dhënë fund trazirave sociale sa më shpejt të jetë e mundur.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?