Deputeti Demokrat Kasem Mahmutaj

Gazment Mahmutaj, vëllai i deputetit demokrat ankimon konfiskimin e 25 pasurive, Apeli i GJKKO e shqyrton më 18 maj

4 Maj 2022, 16:52| Përditesimi: 4 Maj 2022, 17:08

  • Share

TIRANË- Gazment Mahmutaj, vëllai i deputetit demokrat Kasem Mahmutaj ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për konfiskimin e 25 pasurive. Ankimimi është bërë më datë 27, ndërsa Apeli i GJKKO do e marrë në shqyrtim më datë 18 maj. Kryesuesja e çështjes do të jetë gjyqtarja Nertina Kosova dhe anëtarë gjyqtarët Daniela Shirka dhe Dhimitër Lara.

Më kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme ka vendosur konfiskimin e 25 pasurive të familjes së deputetit të Partisë Demokratike, Kasem Mahmutajt, për shkak të vëllait të deputetit, Gazment Mahmutaj, i cili ka qenë subjekt i OFL-së. Kjo është hera e parë që SPAK i konfiskon pasurinë një deputeti.

Pasuritë e konfirmuara janë 7 apartamente, troje, pesë ndërtesa në proces legalizimi, 4 makina, si dhe pesë kompani, ku përfshihen një shtypshkronjë, hotel, studio fotografike etj. Pasuritë e konfiskuara ishin në emrin e vetë subjektit Gazment Mahmutaj, vëllait të tij Kasem Mahmutajt që është edhe deputet i PD-së dhe vëllait tjetër Behar Mahmutaj. Disa pasuri kishin kaluar edhe në emrin e kunatave.

Pasuritë e konfiskuara i kalojnë shtetit shqiptar, ndërsa sipas legjislacionit në fuqi Kasem Mahmutajt nuk i rrezikohet mandati i deputetit. Në ‘luftën’ brenda PD-së, Mahmutaj deri më tani ka qenë i rreshtuar me Lulzim Bashën, por më datë 30 prill mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha.

Objekt i SPAK-ut ishin pasuritë e Gazment Mahmutajt, subjekt i OFL, që kërkoi justifikimin e pasurisë së tij pasi ishte dënuar me burg për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni nga drejtësia italine.  I lidhur me emrin e tij ka qenë edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pasi sipas Gjykatës së Apelit në Milano, me një vendim të 23 prillit 2000, Mediu, në emër të parlamentit shqiptar, ka favorizuar të kërkuarin nga drejtësia italiane, pikërisht Gazmend Mahutajn, për të kaluar tranzit nga vendi ynë drejt shtetin fqinj me emër të rremë (Raqi Gjoni). Më 18 nëntor 1998, Gazmend Mahmutaj, një personazh i njohur i botës së krimit në Berat, ishte duke kaluar tranzit në aeroportin ”Malpensa” në Milano bashkë me një grup parlamentarësh shqiptarë që shkonin për në Parlamentin Europian në një konferencë për krimin e organizuar. Mahmutaj, e dinte që ishte në kërkim nga autoritetet italiane, ndaj u paraqit në Milano me një dokument të falsifikuar me emrin Raqi Gjoni. Në fakt në delegacionin zyrtar brenda të cilit ishte ''përfshirë'' edhe Gazmend Mahmutaj, kishte edhe politikane të tjerë dhe madje edhe një gazetare. Akuza ndaj Mediut ka qene që ai, ndryshe nga të tjerët, ndërhyri për t'i kërkuar policisë italiane me çfarë akuze ai anëtar i delegacionit u ndalua. Me një vendim nga Gjykata e Lartë, Mediu u shpall i pafajshëm.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?