Kronikë

Velipoja pa roje bregdetare! Shitësi i misrave që shpëtoi çiftin nga mbytja flet për Report Tv: Nëse do kishte roje, do ishte gjallë edhe pushuesi tjetër

6 Korrik 2021, 17:17| Përditesimi: 6 Korrik 2021, 17:34

  • Share

Pjetër Gjorovia nuk mundi të dalë gjallë nga deti i trazuar. Ai humbi jetën pasditen e së hënës në plazhin e Velipojës, ndërsa dy pushues të tjerë mbijetuan falë ndihmës së qytetarëve.... Edmond Ndoja, personi që i shpëtoi jetën çiftit te bashkëshortëve tregon për "Report Tv" momentet kur u përball me situatën e vështirë.

"Unë isha te lokale dhe erdhëm më thanë se po mbyten 2-3 vetë. Mora kamerdare dhe njërin e nxora, tjetri ishte mbytur. I nxorëm në breg dhe i mori ambulanca. Rojet bregdetare duhen se s'bën, nëse do kishin qenë rojet, ai do kishte shpëtuar", tregoi Ndoja.

Kur jemi thuajse ne pikun e sezonit turistik, 80 % e vijës bregdetare është pa roje.

Pushuesit ne Velipojë, për mikrofonin e "Report Tv", shprehen se është domosdoshmëri prezenca e tyre.

"Rojet bregdetare duhet të jenë, është rrezik, më shumë edhe për shkak të fëmijëve", tha një pushuese

"Rojet duhet të jenë, sidomos kur moti është i keq dhe ka dallgë që shihet që mund të rrezikohen pushues në det", u shpreh një tjetër.

Vladimir Deda, është ndër të paktën vëzhgues plazhi në Velipojë.

"Kur deti acarohet, është e domosdoshme që afër vijës bregdetare të jetë vrojtuesi me bilbil parandalues për të mos i lënë pushuesit sepse ata futen në ujë sepse nuk e dinë. Po të ketë vrojtues, nuk mbytet kush", tha Deda.

Por pse janë kaq të rrallë rojet bregdetare?

Aktualisht vetëm 5 operatorë turistike kanë lidhur kontratat me Bashkinë e Shkodrës për stacionet e plazhit. Ndërsa pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të jenë në pritje të lejeve nga Agjencia e Bregdetit dhe Ministria e Turizmit. Një proces ky i tejzgjatur që ka sjellë mjaft probleme dhe konflikte.  Me lidhjen e kontratave për stacionet e plazhit, operatoret e kane detyrim vendosjen e rojeve te plazhit, por jashtë kamerave shume prej tyre thanë se po përballen me mungesën e rojeve të licencuara.

Nga maji e deri në korrik 4 pushues kanë humbur jetën në plazhin e Velipojës, ndërsa kullat e vrojtimit vijojnë të qëndrojnë bosh.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?