Veliaj: Vaqarri, lagje e re e Tiranës! Pas rrugës, gati shtëpitë e reja për të prekurit nga tërmeti

23 Prill 2020, 15:13| Përditesimi: 23 Prill 2020, 15:19

  • Share

Bashkia e Tiranës njofton se kryetari Erion Veliaj ishte dje në aksionin e mbjelljes së 1 mijë pemëve në të dy krahët e rrugës, ku deklaroi se, nga sot, Vaqarri është vetëm një stacion autobusi nga Kombinati.

“Në Ditën e Tokës vendosëm të gjelbëronim rrugën Kombinat-Vaqarr. Ende nuk është tharë asfalti i rrugës që është bërë komplet e re. Vaqarri, tani e tutje, do jetë vetëm një stacion tjetër autobusi urban nga Kombinati. Një nga arsyet është se po bëjmë gati lagjen e re pas tërmetit, pra për të mos harruar që kemi krizën aktuale, por kemi edhe një krizë tjetër për të zgjidhur, si tërmeti”, tha Veliaj.

Vaqarri është edhe një nga zonat ku do të ngrihet një lagje e re për sistemimin e banorëve të zonës, të cilëve iu dëmtua shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. “Lagjja e parë do jetë në Vaqarr; kemi filluar porosinë e shtëpive të reja dhe mezi pres që, me të pasur shtëpitë e reja, të kemi lagje model, që më pas do e reflektojmë edhe tek lagjja e re në Ndroq, në Shkozë, Zall-Herr, në Baldushk dhe kudo ki do kemi mini-lagje për të strehuar ata që humbën shtëpitë nga tërmeti”, deklaroi ai. 

Veliaj tha se sikurse shembulli që është dhënë në segmentin Tiranë-Vaqarr, edhe në rrugët e tjera prioritet do të kenë trotuaret dhe gjelbërimi. “Me trotuaret që kemi filluar në Tiranë, momentalisht po punojmë tek stadiumi “Dinamo”, do t’i japim më shumë hapësirë njerëzve, më pak hapësirë makinave.

Shembulli  i parë është segmenti Tiranë-Vaqarr, ku po urbanizojmë edhe këtë pjesë të fshatit, ndërkohë vazhdojmë me lagjen e re në Ndroq, ku do të bëhet edhe rruga e re, me të njëjtin standard. Falenderoj shumë kolegët e ARRSH-së edhe Ministrisë së Infrastrukturës për këtë bashkëpunim; ata kanë bërë trupin e rrugës, ne bëjmë anët, gjelbërimin, trotuaret, për t’u siguruar që Tirana cep e më cep është një qytet model”, u shpreh kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë u shpreh se “Nëse përpara pesë vitesh ata që advokonin korsitë e biçikletave, mbjelljen e pemëve ishin një pakicë, pra Bashkia e  Tiranës dhe disa aktivistë, sot shpresoj që jemi bërë një shumicë, kur kemi parë është harlisur gjelbërimi në Tiranë dhe se çfarë bukurie ka qyteti”, theksoi Veliaj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?