Veliaj thirrje kryebashkiakëve të djathtë: Po humbasim kohë duke u ndarë në dy shoqata, të unifikohemi

6 Nëntor 2023, 14:56| Përditesimi: 6 Nëntor 2023, 16:58

  • Share

Në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Autonomi Vendore, Erion Veliaj bëri thirrje këtë të hënë që të gjitha bashkitë e vendit të unifikohen në një shoqatë të vetme, për të pasur një përfaqësim më dinjitoz përpara organizatave ndërkombëtare dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarëve shqiptarë. 

“Nuk mund të vazhdojmë të ndarë në dy koka sepse ka ardhur koha që, përpara se të kërkojmë ndihmë, duhet të ftillohemi njëherë vetë. Thirrja mbetet e hapur: Eja diskutojmë një mënyrë se si t’u japim kolegëve të opozitës më shumë vendimmarrje, bashkëkryesi e bashkëqeverisje të kësaj organizate, sepse në thelb është instrumenti me të cilin marrim fondet”.

Veliaj shtoi se për sa kohë 61 bashkitë i kanë nevojat e përbashkëta, nuk duhet të humbasin kohë duke u ndarë në dy shoqata të veçanta, duke iu referuar Shoqatës së Bashkive te Shqipërisë, një organizim vetëm i kryebashkiakëve opozitarë.

“Është mëkat të humbasim kohë të çmuar duke u ndarë në dy shoqata dhe duke krijuar një kakofoni, sidomos për donatorët e huaj, që s’kuptojnë pse vazhdon kënga e viteve ’90”.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës për Autonomi Vendore u diskutua mbi financat vendore dhe procesin e decentralizimit. Po ashtu u ngrit dhe një grup pune për vazhdimësinë e procesit të unifikimit të shoqatave.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fol shqip: 06/11/2023 15:00

    Unifikim=bashkim apo jo...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?