Veliaj ironizon aleatët e PD dhe Kryemadhin: Basha po na ofron për deputetë ‘memet’ e rrjeteve sociale! Refuzoni ata të filxhanit të kafesë

15 Janar 2021, 15:32| Përditesimi: 15 Janar 2021, 18:48

  • Share

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili është njëherësh edhe drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, tha se oferta e Lulzim Bashës dhe e opozitës për zgjedhjet e 25 prillit janë kandidatët që njihen si “meme” në rrjetet sociale. Gjatë një bashkëbisedimi me një grup të rinjsh në 29-vjetorin e FRESSH, Veliaj ironizoi edhe aleatët e Bashës, duke filluar nga Fatmir Mediu, si ish-ministër i Mbrojtjes në tragjedinë e Gërdecit, tek Nard Ndoka ish ministër Shëndetësie.

“Imagjinoni pak sikur në krye të vendit, kur ra tërmeti në 3:54 të mëngjesit, të ishte një nga këto memet. Imagjinoni që pandemia të na kishte kapur me Nard Ndokën si ministër të Shëndetësisë. Tani qeshim se shyqyr nuk është e vërtetë. Po Fatmir Mediu ishte ministër i Mbrojtjes kur shpërtheu Gërdeci. Memet po na bëhen kandidatë për deputetë, ndaj është mision i brezit tuaj që të jeni më seriozë sepse të rriturit po bëhen karagjozë duke na ofruar meme për deputetë. Kur bie tërmeti dhe pandemia, ti si qytetar do të doje njerëz seriozë në krye të shtetit, që nuk pushojnë së punuari për të ndërtuar shtëpitë”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se një parti nuk mund të ketë të ardhme kur kandidatët e saj për deputetë janë Fatmir Mediu, Dash Shehi dhe Nard Ndoka.

“Një parti politikë nuk mund të ketë të ardhme kur thotë - “duam ndryshim, jemi shpresë e re dhe kandidatët tanë për deputetë janë Fatmir Mediu, Dash Shehi dhe Nard Ndoka”. Sepse duket sikur të gjithë memet po bëhen deputetë. Këta njerëz janë deputetë që kur unë kam qenë 11 vjeç. Sot jam 41 dhe ata janë ende shpresa e re e së djathtës! E kuptoni se çfarë diference masive kemi ne me ata që kemi përballë”, tha Veliaj.

Ora 17:00
Veliaj, mesazh të rinjve për Monika Kryemadhin: Refuzoni ata të filxhanit të kafesë që duan të pinë dy në ditë

Në bashkëbisedimin me të rinjtë me rastin e në 29-vjetorit e FRESSH-it, Veliaj pati edhe një 'ngacmim' me Monika Kryemadhin. Teksa iu bëri thirrje të rinjve të maksimizojnë ambicien, suke ironizuar drejtuesen e LSI-së, Monika Kryemadhi, në takimet e të cilës të rinjtë shprehen se shqetësimi që ata kanë është se nuk pijnë dot një kafe më shumë në ditë, Veliaj tha se PS sot ka në fokus nismat, ndryshimet dhe vendimet e rëndësishme për qytetin.

“Po dëgjoja dje anëtarët e forumit tjetër që i thoshte Monika Kryemadhit: 'Dikur pinim nga dy kafe në ditë, kurse tani vetëm 1 kafe”. Kjo tregon se aq e kanë ambicien. Ambicia jonë është shumë më e madhe se aq dhe sfida e forumit tonë është si të injektojë më shumë ambicie tek të rinjtë,” tha Veliaj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?