Vdekja e Lear Kurtit, eksperti i kriminalistikës: Momenti i autopsisë është filmuar! Efektivët duhet ta kishin çuar në spital, jo në komisariat

24 Tetor 2022, 13:59| Përditesimi: 24 Tetor 2022, 15:50

  • Share

Eksperti i kriminalistikës, Fatjon Softa bëri me dije se momenti i autopsisë së Lear Kurtit është filmuar dhe do t’i vihen në dispozicion prokurorisë. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me gazetarët Migena Sotiri dhe Nertil Agalliu, u shpreh se prioritet është shëndeti i njeriut ndaj efektivët duhet ta kishin çuar në spital sapo kanë konstatuar gjendjen jo të mirë shëndetësore të 32-vjeçarit.

“Momenti i autopsisë është filmuar. Janë katër ekspertë që thonë është gjetur një qese, lëndë e dyshuar kokainë. Nëse përdorim elementin e dyshuar, kokainë, mbidoza, ato që vihen re në trup janë mungesa e frymëmarrjes, goditja në sistemin nervor dhe mund të jenë të vjella apo gjendje të fikëti. Këta elementë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Në momentin e parë që u konstatua gjendja e tillë, duhet ta kishin çuar drejt spitalit jo komisariatit. Këtu lind pyetja nëse ka pasur shpërdorim të detyrës se parësore është jeta e njeriut. Sipas dëshmive apo të pyeturve, janë marrë në pyetje mbi 10 persona”, tha Softa.

Ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë duke konfirmuar se në stomakun e Lear Kurtit është gjetur qese me gjurmë kokaine. 

Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, veprim që mendohet ta ketë bërë nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?