Vau i Dejës, kandidatët e PD për Këshillin deklarojnë mbështetjen për Zef Hilën e Berishës: Drini, kandidaturë personale e Alibeajt

10 Prill 2023, 11:39| Përditesimi: 10 Prill 2023, 16:58

  • Share

Kandidatët për Këshillin Bashkiak të PD-së në Vaun e Dejës kanë dalë në mbështetje të Zef Hilës, kandidatit të Berishës për kryebashkiak në zgjedhjet e 14 majit. Përmes një deklarate të paralajmëruar më herët ata thonë se mbështesin Hilën edhe pse kandidatja e PD për kryetare bashkie Klomentina Drini vazhdon garën. Kandidatët për Këshillin e cilësojnë Drinin kandidaturë personale e nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të Vaut të Dejës. Ata bëjnë thirrje për votimin e Zef Hilës.

“Ne, kandidatët për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau Dejës, duke falënderuar Kryesinë e Degës dhe strukturat e PD, Dega Vau Dejës, për besimin dhe mbështetjen, shprehim qëndrimin tonë lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023:

Ne sot, me anë të kësaj deklarate, shprehim hapur mbështetjen tonë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” z. Zef Hila.

Ne distancohemi nga çdo kandidaturë personale e kujtdo qoftë ajo, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së, për sa kohë kjo kandidaturë është nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Z. Zef Hila është ish-kryebashkiaku jonë, është Deputeti ynë, është njeriu më i votuar dhe më i mbështetur i kësaj zone, dhe po ashtu edhe në listen tonë për këshilltarë bashkiak janë përfshirë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë e me integritet, me kontribute për komunitetin tonë, e të gjithë  janë të gatshëm për të punuar me përkushtim dhe me besim, për fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të z. Zef Hiles si kryetar i ardhshëm i Bashkisë Vau Dejës me 14 Maj”, thuhet në deklaratën e tyre.

Kujtojmë se Partia Demokratike, logoja zyrtare forcës më të madhe opozitare në vend, do të mungojë në 4 bashki sa i përket votës për këshillat bashkiakë, edhe pse në fakt ishte premtuar se do të kandidonin në të gjithë Shqipërinë. Partia Demokratike do të ketë listat e saja në 57 bashki dhe do të mungojë në Vorë, Roskovec, Dropull dhe Pustec. Ndërkohë që sa i përket kandidatëve për kryebashkiakë emrat e Partisë Demokratike do të jenë vetëm në 16 bashki nga 61 gjithsej.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?