Vasili: Ambasadorët heshtën
për blerjen e votave

10 Dhjetor 2017, 17:14| Përditesimi:

  • Share
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i është kthyer akuzave ndaj qeverisë dhe në veçanti kryeministrit Rama për vjedhjen e votave. Në një status në profilin e tij në Facebook, Vasili ka deklaruar se kryeministri zhveshi policinë për vota dhe heshtja e prokurorisë përbën një faj të rëndë publik.

“Në fushatën e zgjedhjeve të qershorit, kryeministri i kërkoi policisë të flakte uniformën dhe të bënte vota për Partinë Socialiste”, ka deklaruar Vasili.

Ai ka kritikuar edhe heshtjen e diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë, të cilët sipas tij nuk ngurrojnë të përfshihen në çështjet e brendshme të Shqipërisë. “Ambasadorët e huaj, që s'lënë gjë pa komentuar, nuk folën. As OSBE nuk e dënoi publikisht dhe fort”, është shprehur Vasili.

Por në fund të fundit, ka vijuar ai, ky hall shumë i rëndë është vetëm i shqiptarëve, sepse qytetarët mbetën pa shtet dhe policë e kriminelë u bënë njësh me krimin. “Prokuroria hesht edhe sot e kësaj dite, megjithëse ky kryeministër është denoncuar si dhunues i ligjit. Ndërkohë, qindra punonjës të thjeshtë kanë humbur punën dhe ndiqen penalisht vetëm për pjesëmarrje në aktivitetet elektorale”, ka thënë Vasili.

Duke theksuar se kjo heshtje është një faj i rëndë publik, ai ka parashtruar edhe disa pyetje. “A ka frikë prokuroria nga kryeministri, kur fajin e ka pranuar po ai vetë publikisht dhe ka bërë edhe sikur ka kërkuar falje? Prokuroria s'ka asnjë të drejtë të heshtë më, ose ka zgjedhur të jetë ajo shkelësja e madhe e ligjit”, ka shtuar Vasili.

g.f. / shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?