Intervista/ Vangjel Tavo për Report Tv: S'i druhem presioneve, as tërhiqem! Në Himarë nuk trazohet qetësia nga një grupim i vogël! Kam folur me Ramën

1 Prill, 17:26| Përditesimi: 2 Prill, 08:00

  • Share

TIRANE-  Javën tjetër nis procesi i regjistrimit të pronave në Himarë deklaroi prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo në një intervistë për emisionin “Studio Live’ në Report Tv.

Duke komentuar votimin e 29 marsit 2024 në këshillin bashkiak ku Blerina Bala u zgjodh si kryetare e përkohshme e bashkisë, Tavo tha se Himara nuk mund të lihet pa u qeverisur dhe se PS e opozita vunë interesat e banorëve mbi ato politike. Komentoi dhe incidentin me mbështetësin e Belerit, i cili e pështyu gjatë kohës që po dilte. Zbuloi se kishte komunikuar me Ramën mbi Himarën, çështjen që e shqetësojnë dhe jo vetëm në prag të sezonit turistik dhe theksoi se nuk i druhej presionit dhe aq më pak të tërhiqet nga detyra e tij të cilën do ta çojë deri në fund.

Intervista u dha për gazetarin Arbër Hitaj. 

Si e përjetuat dhe përse gjithë ky mllef nga një pjesë e vogël ndaj jush?

Vangjel Tavo: Nuk jam i ri në politikë. Jam i mësuar me reagime të tilla edhe mëparpara nga njerëz dhe grupime njerëzish. Sidomos në fillimin e karrierës time politike edhe në zonën time, por që me kalimin e kohës ishin po këta njerëz që jo vetëm janë penduar por janë kthyer në mbështetësit e mi më të zjarrtë. Prova është në Gjirokastër.  Ajo që është për të ardhur keq është sjellja e njërit prej personave në atë sallë. Jam i bindur që ka qenë sjellje e nxitur politikisht nga grupime politike që mendojnë se duke ushtruar qoftë dhe dhunë jo fizike por të formave të tjera mendojnë se mund tia arrijnë qëllimit. Nuk më bën përshtypje por jo vetëm ai rast por dhe raste të tjera kanë treguar se asgjë nuk zgjidhet duke e tensionuar situatën por me dialog, bashkëpunim e konsensus.

Përse pranuat ofertën e zotit Rama për të qenë prefekt i qarkut të Vlorës.  A është në ambicien tuaj që të kandidoni për PS nëse do të ketë proces votimi atje?

Vangjel Tavo: Unë që në fillim të karrierës time politike kam qenë në shërbim të komunitetit dhe njerëzve në pozicione të ndryshme që më është dhënë mundësia të shërbej. Edhe në këtë pozicion e kam parë si mundësi për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit. Prandaj e kam pranuar detyrën. Nuk do të resht në asnjë moment derisa të kem fuqi për ti shërbyer atyre, pavarësisht pozicionit që do të kem apo nuk do të kem. Kjo është pjesë e karakterit tim.

Përse besoni se ka kaq tension në Himarë. Lidhet me ndërhyrje të qarqeve nacionaliste greke apo probleme për cështje ndoshta dhe pronash?

Vangjel Tavo: Nuk dua të komentoj nëse lidhje me qarqe të ndryshme por e thashë dhe më përpara. Është një cështje e nxitur politikisht nga një grupim i caktuar politik për arsye që janë të njohura në Himarë, pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur zotit Beleri dhe situatës së krijuar pas ndalimit të kryetarit në detyrë zoti Goro. Mbledhja e këshillit bashkiak për të caktuar kryetaren e re të përkoshme të bashkisë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së drejtimit të bashkisë së Himarës, ku nëse zoti Beleri në gjykatën e Apelit do të marrë pafajësinë do të bëjë betimin e të jetë kryetar I bashkisë. Në të kundërt është i pashmangshën procesi zgjedhor.

Pra Himara do të shkojë në zgjedhje. Pikërisht ky grupim njerëzish mendon se duke intimiduar e ngritur zërin. Himara nuk mund të lihej pa u qeverisur për shumë arsye. E para për problemet e njerëzve që duhen trajtuar dhe marrë zgjidhje por më kryesorja dhe sezoni turistik. Himara dihet që është një nga vendet më të lakmuara për turistët e pritet një fluks shumë më I madh. Në këto kushte Himara duhej patjetër të kishte një drejtim për të përballuar gjithë këto situate në prag të çeljes së sezonit turistik. Kjo përfundimisht u mbyll dhe u pa qartë. Në këshillin e bashkisë votuan dhe 4 anëtarë të opozitës për kandidaten që caktoi grupi PS për ta drejtuar. Për njërën prej nënkryetarëve (Shënim: Blerina Bala). Pra vetë këshilli vendosi interesat e komunitetit mbi interesat e një grupimi të caktuar me interesa të ngushta politike.

A keni pasur raport miqësor me zotin Beleri?

Vangjel Tavo: E kam njohur Fredi Belerin. Kemi pasur ushilacionet tona me njëri tjetrin për shkak të bindjeve politike që asnjëherë nuk kanë qenë të njëjta, për të mos thënë që kanë qenë diametralisht të kundërta. Sa I takon përballjes së tij me drejtësinë nuk e komentoj se është cështje e drejtësisë. Kur bëhet fjalë për cështje drejtësia politika duhet të heshtë.

 Himarë ka probleme me pronat apo shkelje të të drejtave të minoritetit grek?

Vangjel Tavo: Në Himarë si në shumë bashki të tjerat ka probleme me pronat, regjistrimin e pasurive të qytetarëve. Kjo nuk është vetëm në pjesën bregdetare por në të gjithë bashkinë. Mund të jetë më I theksuar në zonën bregdetare të bashkisë së Himarës por problematika është e akumuluar 33 – 34 vjeçare kur komisionet e famshme I kalonin nëpër fshatra dhe së bashku me kryepleqësinë përcaktonin se kujt i përkiste banesa e prona.  

Procesi i regjistrimit në Himarë ka problemet e veta. Është në prapambetje në kohë. Unë në pozicionin e prefektit të qarkut të Vlorës kam ndërmarrë iniciativë dhe në bashkëpunim me bashkitë e qarkut të Vlorës dhe Agjencinë Shtetërore të kadastrën për të ecur më shpejt me procesin e regjistrimit të pronave në të gjithë prefekturën. Por dhe me Himarën në veçanti, meqë ky problem është ndoshta më I ndjeshëm dhe më tepër i atakueshëm nga shumë faktorë e banorët e Himarës. Për ta futur në rrugën e zgjidhjes dhe zgjidhur në një kohë sa më shpejt të mundshme brenda të gjitha kornizave ligjore.

Keni besim që në 1 vit që ka mbetur nga mandate I zotit Rama mund të zgjidhet cështja e pronave në Himarë?

Vangjel Tavo:  Ky proces nuk duhet të lidhet me procesin zgjedhor. Ky proces do të nisë javën tjetër e do të vijojë deri në zgjidhjen e tij. Regjistrimi do të nisë tani e do të vuijojë deri në marrjen e tapisë, titullit të pronësisë nga qytetari. Unë do ta ndjek deri në fund.

A keni pasur diskutim me zotin Rama për atë që ka ndodhur atë ditë dhe a është i shqetësuar për situatën atje?
Vangjel Tavo: Në Himarë qetësi ka qenë dhe qetësi do të jetë. Nuk trazohet qetësia nga një grupim i vogël njerëzish në këshillin e bashkisë së Himarës. Njerëzit në Himarë vijojnë normalitetin e tyre. Padyshim kam folur me kryeministrin për shumë çështje. Kjo ka qenë një pjesë shumë e vogël e bisedës tonë. Siç ju thashë në fillim janë çështje që nuk më shqetësojnë aspak.

Emisioni ‘Crime Story’ në Report Tv solli disa prova për 2 atentate të dështuara ndaj ish-deputetit minoritar Vangjel Tavo, nga organizata MAVI. A i druheni ndonjë problemi në Himarë? A ka menduar të largohet nga kjo detyrë?  

Vangjel Tavo: Kam qenë prezent në ngjarjet që ju po i përmendni. I dija shumë mirë. Nëse do i druhesha do të isha larguar nga politika. Nëse nis për të bërë diçka. Nuk ka hap pas. Vetëm përfundim të misionit tim dhe misioni im është shërbimi deri në momentin e fundit ndaj njerëve. Mos prisni që unë të tërhiqem nga funksionet dhe misionin e jetës time, që është shërbimi ndaj njerëzve

Si e keni gjetur PS?

Vangjel Tavo: Kam qenë në PS. Kalova tek LSI dhe rikthehem tek familja ime. E rëndësishme është se nuk po shkoj në një familje që nuk e njoh. E njihja shumë mirë. Kam qenë 15 vite deputet i PS. Kam gjetur ambient të ngrohtë siç e kisha lënë.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eri: 02/04/2024 11:55

    Nuk duhet ti besojme shume ketij Tavos. Dikur tradhtoi PS-ne per LSI-ne. Duket njeri i mire por jo i besueshem. Po shpiken lloj lloj trillimesh sikur ka qene persekutuar nga greket , qe personalisht nuk i besoj aspak.Nuk ben per kryetar te Beshkise se Himares ne asnje forme duke mos qene vendali. Nese vihet ai , ka trumfuar Greqia se ka vene nje "ujk te veshur si dele".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?