Valdete Aliaj: Pengjet dhe
amanetet e fundit të Agron Aliaj

3 Dhjetor 2013, 06:48| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Arritëm të takoheshim vetëm pas një muaji. Ndihej e lënduar, por kishte droje ta thoshte përse. Krejt papritur “ia vura gishtin në plagë”, duke i bërë pyetjen “Përse kaloi aq përciptas 80-vjetori i lindjes së Mjeshtrit të Madh Agron Aliaj?”...

Që nga data 30 tetor, disa herë rresht merrte në telefon zonja Valdete, bashkëshortja e mjeshtrit Agron Aliaj për një takim. Mezi e prisja takimin, sepse isha unë që i kisha kërkuar të gjente ndonjë “relike” speciale dhe ta botonim në gazetë në shenjë nderimi për koreografin e shquar.

Me një ndjenjë pendimi, zonja Valdete Aliaj (ne foto) disa herë me radhë më tha ta shtynim takimin për “njëherë tjetër”. Ja, u takuam. Pas pyetjeve dhe bisedave paraprake, ajo merr më shumë kurajë dhe në këtë intervistë na sjell për herë të parë disa nga kujtimet e fundit të koreografit Agron Aliaj gjatë kohës kur u shtrua në spital pas aksidentit tragjik që i ndodhi në mars të vitit 2012.

Duke kapërcyer dhimbjen dhe lëndimet që erdhën nga rrethanat pas vdekjes, biseda rrodhi natyrshëm te disa nga kujtimet e karrierës së ndritur artistike të mjeshtrit Agron Aliaj; sipas saj njeriut që edhe në çastet e komës fliste përçart për baletin; bashkëshortit të dashur që e çoi jetën mes pluhurit të teatrit dhe djersës së balerinëve, dhe megjithatë në spital thoshte se e kishte marrë malli për ta....
 
 
Gazeta “Shqiptarja.com” ka shkruar para datës 30 tetor lajmin për spektaklin “Agroniada”, që u premtua se do të bëhej për 80-vjetorin e lindjes së Mjeshtrit Agron Aliaj, por nuk doli ajo që prisnim. Ishte një spektakël shumë formal. Ju vetë ç’mendim keni?
 
-Unë e kam të vështirë të flas. Më 30 tetor ishte 80-vjetori i Lindjes së Agronit, dhe unë mendova se do të bëhej diçka meqë ishte jubile. Duke menduar kontributin e tij, më duhej të njoftohesha nëse këtë e bën apo jo Teatri i Operës. Nëse institucioni nuk do të kishte mundësi financiare, do gjendej një mënyrë që të bëhej ose nga familja ose nga ndonjë fondacion. Kam biseduar me ish drejtorin Zhani Ciko, meqë ky ishte 80-vjetori. Madje vendosa t’i thosha se mbase edhe dekorohej me titullin “Nderi i Kombit”, dhe nëse ishte e mundur kush mund të bënte një kërkesë për një gjë të tillë. Më besoni që kur ka vdekur Agroni unë luhatem mes dhimbjes personale dhe detyrës që kam ndaj tij.

Dhe ja më në fund u ndjeva e fortë dhe vendosa të luftojë që kontributi i tij të çmohet. Më takon ta bëj kaq për Agronin, nëse institucionet nuk e bëjnë këtë. Ndaj e shtrova kërkesën me droje se kisha parasysh këtu që këtë titull nuk e ka marrë as koreografi i madh Panajot Kanaçi. Vetë Agroni e hidhte këtë ide sa herë binte fjala. Kështu unë e mendoja si një merak të tij, dhe diskutova me Zhanin që “nëse dekorohej me këtë urdhër Agroni, kjo të bëhej bashkë me Panajot Kanaçin. Pyes Cikon se kush mund ta propozojë këtë. “Bëje ti, -tha Zhani Ciko”. Unë thashë: “-Nuk mund ta bëj, se unë jam familja. Duhet ta bëjnë të tjerë këtë punë, ata që mund të vlerësojmë kontributin e tij dhe kanë punuar me të”. U la që kërkesa të bëhej nga Unioni Kombëtar i Artit dhe e dorëzua në Ministri, por Zhani Ciko i lau duart nga kjo punë dhe mua më erdhi keq.

Më filloi një mërzi nga kjo sjellje, por u mendova të bëhem zemërgjerë. Pastaj erdhi 80-vjetori dhe i thashë Zhanit se u bë propozimi për titullin dhe “kur të bëhet, le të bëhet”, po për të festuar 80-vjetorin do të bëjmë ndonjë gjë, ndonjë koncert. “Dë bëhet, -tha, -një koncert.” Pashë se ishte pak i ftohtë. Zhani ishte mërzitur se kishte dëgjuar që do të ndërronin drejtorin, por nuk u besova dot veshëve kur më tha: “Nuk kam kohë që të merrem me datëlindjen e Agronit. As për 80-vjetorin, as për afishet nuk kam para!”
“I paguaj unë, -i thashë afishet. Nëse nuk ka para të mos vijë keq, na thuaj”. “Nuk është puna aty, por nuk vë as afishe, as televizion”.
 
Po më kujtohet që edhe mediat nuk kishin ç’të pasqyronin.
 
-Pra ndryshe u mendua, ndryshe doli “Agroniada”, e cila më në fund i mbeti Arian Sukniqit dhe Albert Jankut, mbeti një skelet koncerti, edhe pse ata u përpoqën shumë. Gjëja më mirë ishte që Eno Koço ishte dirigjent dhe ai ishte i predispozuar që të diltr sa më mirë. U çudit që më pa në sallë. Më takoi me përzemërsi. Më vjen keq që flas kështu, por ndihem keq se Agroni kishte gjithë atë repertor kombëtar dhe “Agroniada” u katandis në një skelet spektakli. Fakti se Zhani Ciko ishte shumë i mërzitur se do ta largonin nga detyra dhe nuk iu përkushtua projektit të Agroniadës më ka lënduar.

Kam shkuar gati duke qarë në shtëpi. Sa shpejt e harruan, sa shpejt e nënvleftësuan mendoja. Unë isha mësuar që shfaqjet e Agronit i shikoja nga katër herë edhe në provat gjenerale. Pra shfaqja ashtu si u bë kaloi në heshtje, drejtori nuk doli si zakonisht të fliste para shfaqjes. Nuk doli as afishe, as erdhi ndonjë TV. Vetëm pjesëmarrësit në “Agroniada” kanë ndier një mobilizim. Kështu doli Eno Koço të fliste. Mendoni si kam mbetur që nuk foli drejtori Ciko, se ata kanë punuar bashkë me Agronin. Aq shumë u mërzit që la drejtorllëkun, sa harroi Agronin.

Por ne e humbën Agronin si njeri, teatri e humbi si artist. Kjo ishte humbje me madhe se një post. Dhe nuk është momenti ta them, por Agroni ka vuajtur me burokracinë se nuk e ka pasur të lehtë zgjedhjen e repertorit. Ai kërkonte një repertor modern. Por ka vuajtur edhe është mërzitur edhe kur ia hiqnin balerinët nga roli. Se në TKOB nuk ka qenë puna e lehtë. Në këtë institucion nisën pakënaqësitë nga balerinët, përçarjet, që vinin nga drejtuesit dhe nuk ishte shumë e lehtë të punoje kështu. Agroni ka bërë debate për hir të tyre. Ai nuk duronte dot përçarjen në dy grupe. Kjo ka qenë brenga më e madhe e Agronit. A e beson dot se kur ishte në spital Agroni një ditë më tha më tha: “Valdete më ka marrë malli për balerinët”.  “Po ti do t’i shohësh i thasë, do të shërohesh dhe do t’i shikosh...”.
 
Më bëri përshtypje kur thatë se keni propozuar që titullin “Nderi i Kombit” profesor Agronit është mirë t’ia japin bashkë me Panajot Kanaçin, përse?
-Po sepse Agroni sa herë binte fjala, diskutonte se pse nuk ia jepnin “Nderin e Kombit” koreografit Panajot Kanaçi, sepse “Nderi i Kombit” kanë marrë kaq e kaq artistë në fusha të tjera të artit, ndërsa për koreografët ky titull është harruar. Dhe unë e përmenda Panajot Kanaçin, se më duket sikur këta e kanë nënvleftësuar baletin dhe operën, nuk ka shumë tituj Nderi i Kombit për artistët e mëdhenj të operës dhe baletit. Agroni nuk e kishte të drejtën të propozonte, por idenë e vlerësimit të Panajotit gjithnjë e ka shprehur. Ai e vuri dy herë në skenë “Halili dhe Hajria”, por “Nderin e Kombit” nuk e kishte në dorë ai.
 
 
Çfarë i ka mbetur merak mjeshtrit veç kësaj?
 
-Sa herë kujtoj ditëlindjen e Agronit, nuk mund të mos përmend edhe një brengë që i ka mbetur. Vite më parë ne u përpoqëm edhe për një festival baleti dhe u caktua 30 tetori, ditëlindja e Agronit data e zhvillimit. Të gjithë ishin dakord, morëm DVD-të e balerinëve, bëmë lidhjet në internet, u mendua të priteshin biletat dhe disa balerinë shqiptarë si Kledi Kadiu, Ambeta Toromani, e shumë të tjerë që bëjnë karrierë jashtë mezi prisnin.

Mirëpo ky eveniment u prish, dhe mua më ka dhembur shumë se balerinët do të sillnin eksperiencë të madhe në Shqipëri. Agronin nuk e ndihmuan në këtë projekt, i vajti mundi kot. Ashtu siç u bë për operën Marije Kraja një festival, ku me këtë rats dua të përshëndes Zana Çelën që i bëri një dokumentar homazh në natën finale të festivalit. Pra do të ishte mirë edhe një festival baleti. Agronit i shkaktoi edhe një shqetësim emocional se i prishi punë në marrëdhëniet me balerinët, edhe pse ai kur nuk ua tha se kush e pengoi, por u tha se ishte punë fondesh.
 

Si e nderoi Agron Aliajn balerini Gentian Doda në Spanjë
“Në Spanjë është një balerin i talentuar shqiptar. Quhet Gentian Doda. Ai luajti rolin “Zhizelit” në Madrid”, rrëfen Valdete Aliaj duke sjell një detaj të bukur: “Mbaroi shfaqja dhe Agroni më thotë mua: -Mos prit të vijë këtu e të më salutoj, se koreografit të tij nuk do t’i pëlqej që t’i marr unë marr meritat. I kam thënë djalit që kur të më prezantosh me të, mos zër në gojë që zanatin ma ka dhënë Agron Aliaj”.  Por nuk ndodhi siç mendonte mjeshtri Aliaj.

Valdetja tregon se Gentian Doda flet para publikut këto fjalë: “Më vjen keq profesor, se unë kam ecur shumë përpara me ju, por bazat i kam marrë me profesor Agronin që vjen sot në shfaqje”. Dhe ai përul deri në tokë. Të gjithë kthyen kokën nga ne. Isha unë, djali, nusja e të tjerë. Publiku po pëshpëriste dhe Gentiani u detyrua të sqaronte: “Profesori im, Agron Aliaj, vjen nga Shqipëria”. Të gjithë duartrokitën dhe Agroni u lotua. Nuk e priste që në një vend të panjohur të ishte i respektuar. Balerini i kishte marrë leje edhe koreografit të tij ta bënte këtë dedikim. Agroni lumturohej që balerinët e tij kishin sukses nëpër botë”


Fjalët që tha përçart Agron Aliaj për baletin në spital
Në spital foli përçart pas zgjimit nga narkoza për baletin, rrëfen Valdetja. “Baleti ishte një pasion i tij. Të gjithë balerinët e morën vesh se profesori kur të shërohet do të bëj një balet modern. “Jo fola përçart”, -u tha ai. “Kur flet përçart flet atë që e ndjen”, i thanë. Agroni vetëm për baletin fliste dhe i sëmurë edhe kur ishte rëndë, imagjinonte baletin. Përçart tha: “Do të bëj një balet me tre tablo dhe një personazh”.

Kjo u ka mbetur gjithë atyre në mendje. Infermierja, i thoshte: “-Profesor prapë për baletin ke folur në ëndërr, por ne kujtonin se do të flisje për ndonjë të dashur kur ke qenë i ri”. Si kam thënë, tha ai. “Tre tablo dhe një personazh”, i thashë. “-Valdet e di kush do jetë personazhi, ai i riu që ka ardhur”, -tha për Kevin Lilën. Agroni kërkonte gjithmonë talente të rinj, se kanë një moshë të caktuar për balerinët që duhet të ndahen nga skena”.
 
 Shkrimi u publikua sot (03.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?