Vaksina Covid/ 100 milionë doza me kosto 3 $ për vendet e varfra

29 Shtator 2020, 16:08| Përditesimi: 29 Shtator 2020, 16:11

  • Share

Aleanca Gavi ka siguruar 100 milionë doza të tjera të vaksinës së ardhshme Covid-19 për vendet më të varfra në botë.

Aleanca bashkon ente publike dhe private që bashkëpunojnë për të përmirësuar mundësinë e imunizimit në vendet në zhvillim.

Në fillim të gushtit, Gavi dhe Bill & Melinda Gate Foundation kishin njoftuar një bashkëpunim me Serum Institute of India (SII), prodhuesi më i madh i vaksinave në botë për nga vëllimi, për të dhënë 100 milionë doza.

Vaksinat do të shiten me një çmim maksimal prej 3 $ për doze.

Të zhvilluara nga ndërmarrjet farmaceutike suedeze-britanike AstraZeneca dhe nga amerikania Novavax, vaksinat do të prodhohen nga SII dhe do t'i dhurohen Covax (Covid-19 Vaccine Global Access), koalicioni i udhëhequr nga OBSH për të luftuar Covid.

Ky bashkëpunim do të lejojë që instituti indian tani të rrisë kapacitetin e tij të prodhimit në mënyrë që, pasi një ose më shumë vaksina të kenë marrë miratimin rregullator dhe autorizimin e OBSH-së, dozat të mund të shpërndahen në vendet me të ardhura te ulëta dhe të mesme.

Si pjesë e këtij bashkëpunimi, vaksina e AstraZeneca do të vihet në dispozicion për 61 vende, ndërsa Novavax do të jetë në dispozicion 92 vende të mbështetura nga mekanizmi Covax.

"Asnjë vend, i pasur apo i varfër, nuk duhet të lihet pas kur bëhet fjalë për vaksinat Covid-19", tha Dr. Seth Berkley, shefi ekzekutiv i Gavi.

Covax është pjesë e mekanizmit ndërkombëtar të krijuar nga Kombet e Bashkuara për të përshpejtuar aksesin e barabartë në mjetet për të luftuar Covid-19.

Qershorin e kaluar, AstraZeneca u zotua të shpërndajë 300 milionë doza te Gavi, përveç atyre të marrëveshjes së arritur përmes institutit Indian.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?