Gjykata Kushtetuese

Vakancat në Kushtetuese, KED i çon Gjykatës së Lartë listën me tre kandidatët, përzgjidhet një prej tyre

14 Gusht 2022, 09:56| Përditesimi: 14 Gusht 2022, 10:15

  • Share

TIRANË- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Gjykatës së Lartë listën me tre kandidatët për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Kushtetuese. Pas kontrollit të kryer nga KED, në listë është renditur i pari gjyqtari i apelit Ilir Toska, aktualisht anëtar i Këshillit të lartë Gjyqësor. Toska është vlerësuar me 85.44 pikë, ndërsa i ka kaluar të dyja shkallët e vettingut.

Në listën e KED është renditur e dyta gjyqtarja Manjola Xhaxho me 83.34 pikë, ndërsa e treta gjyqtarja Holta Zaçaj me 82.2 pikë. Lista e renditjes nga KED i është drejtuar Gjykatës së Lartë e cila do të përzgjedh një nga tre kandidatët. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejte emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. 3 përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti. 

1660463865_Screenshot8.jpg

Gjyqtari Ilir Toska

Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

 

Procedura e zgjedhjes nga Gjykata e Lartë të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit. Kryetari i Gjykatës së Lartë pranon kandidaturat brenda 30 ditëve nga njoftimi, i bën ato publike dhe ia dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet.

3. Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Lista me kandidatët u bëhet e njohur më parë të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.

4. Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur.

5. Emri i gjyqtarit të zgjedhur i njoftohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?