Vërria:"Kapedanin" e futa në
"ferr", më prishi punë me gratë

25 Tetor 2012, 11:04| Përditesimi:

  • Share
Artisti i madh Albert Vërria, i cili mban në shpinën e tij 110 role, sapo ka botuar librin e parë artistik në jetën e tij. Një libër jo pak befasues, plot surpriza, që e spikat për herë të parë edhe si shkrimtar në moshën 72-vjeçare. Libri "Rrëfim paradoksal", botuar nga "Gurten" dhe redaktuar nga Josif Papagjoni, promovohet sot në orën 18.00 në mjediset e bar Sofias në Tiranë. Albert Vërria pohon se ideja e këtij libri ka nisur prej vitesh.E quan lloj të veçantë të monografisë. Kjo ide ka përfunduar me sukses nga aktori-shkrimtar si vepër letrare, përmes një trilli dantesk kompozoicional. Vërria e ka ngritur subjektin e tij përmes dialogëve të unit autorial në varësi dhe marrëdhënie filozofike me një botë të jashtëzakonshme personazhesh, nga ata të botës së sipërme e të poshtme, personazhe realë dhe artistikë, personazhe universalë, viktima dhe heronj historikë. Ky libër lexohet me një frymë, sapo e merr në duar. Zanafilla e idesë për këtë libër është fëmijëria e autorit, habia fëminore mes botës mitike arkeologjike të Apolonisë, kur ai jetonte në Fier. Fabula e librit "Rrëfim paradoksal" ngjizet nga një dialog i autorit me personazhet e tij, pastaj vijojnë dialogët me personazhet e antikiteteve dhe diskutohet raporti i tyre me jetën e nëndheshme dhe të mbidheshme. Thelbi i veprës në fjalë është një dialog me artin, me jetën, me filozofinë, një dialog që të lë të kuptosh se është një rast i veçantë dalja e këtij libri në dritën e botimit nga aktori. E pyesim aktorin për personazhet, që në dialog mbartin role të shumëfishta letrare. Kjo vepër e parë edhe si alteregoja tjetër e autorit të lë të kuptosh se në rolet e tij, Vërria ka jetuar fuqishëm brenda personazheve, duke i trajtuar artistikisht si pjesë universale të botës njerëzore. Aktori Albert Vërria, në intervistën ekskluzive për "Shqiptarja.com" rrëfen detajet si e solli në jetë librin e tij të parë artistik. Çfarë simbolike mbartin personazhet dhe cilat janë mesazhet e librit të tij të parë. Çfarë është më kryesorja, aktori i madh rrëfen pse tek ai rri ende ndezur dëshira për aktrimin dhe pse i ka refuzuar rolet dhe cilat janë projektet në sirtar për libra dhe role të tjera.

Profesor Vërria, keni nisur të bëni gjëra të tjera nga fusha e artit, mos e keni braktisur aktrimin?


-Aktiviteti im si aktor qoftë në teatër, qoftë në kinematografi nuk mendoj se ka marrë fund. Unë kam vite që mendoj për këtë libër dhe në fund arrita që ta botoj dhe ta shkruaj dhe ta promovojë që të bëhet i njohur për publikun.

Çfarë gjërash të kanë ngacmuar më tepër gjatë paramendimit tuaj të hershëm për këtë libër?

-Mua më kanë ngacmuar më tepër ideja për të bërë një libër të veçantë, një monografi që të mos u ngjajë monografive të tjera. Dhe pikërisht kjo më ka munduar shumë. Por megjithatë me këmbëngulje, munda që ta shkruaj. Madje nuk çuditem aspak, sepse njerëzit kur ulen për të shkruar një gjë, kur bien për të fjetur e bluajnë mendimet për të shkruar, ngrihen dhe natën e shkruajnë se kanë frikë se mos ato që i përfytyrojnë i harrojnë. Dhe kjo mua më ka munduar shumë. Por duke qenë si një libër i veçantë në monografi duke qenë si një libër i veçantë edhe në formë, më është dashur me çdo kusht që ta justifikojë formën në përmbajtjen e librit. Librin e kam titulluar “Rrëfim paradoksal”… Pse e quani rrëfim paradoksal? -Të gjithë çfarë shkruhet dhe lexohet në libër është një paradoks. Në radhë të parë është një paradoks, sepse unë jam gjallë dhe do Zoti ma shton jetën sa të kem unë dëshirë. Por megjithatë në libër unë kam një ndeshje të vazhdueshme me një perëndi, Hipnozin, i cili kërkon me çdo kusht që emrin tim ta shuaj, ta zhduk, ta fshij nga faqja e dheut. Mirëpo Hipnozi mund të më zhduki mua si njeri, mund të më zhduki mua emrin tim, por kurrsesi Hipnozi nuk mund të bëjë të harruar personazhet që kam krijuar unë. Jo vetëm unë këtë rast, por unë flas me respekt edhe për të gjithë aktorët e tjerë, ashtu siç flas për Kadri Roshin apo Sulejman Pitarkën apo Naim Frashërin. Ata sot nuk janë fizikisht gjallë, por për mua dhe për të gjithë spektatorët ata jetojnë në botën e sipërme, sepse kanë lënë kujtime të pashlyeshme. Ata janë me figurat që kanë krijuar sidomos plejada e madhe e aktorëve të atyre viteve. Kanë mbetur të pavdekshëm, sepse janë stamposur në celuloid dhe sot, qoftë i madh në moshë, qoftë i vogël në moshë, nëpërmjet ekranit të televizionit i shikojnë të gjallë, që japin mesazhe të fuqishme. Unë librin e kam shkruar në tri vetë. Në vetën e parë, vetën e dytë dhe të tretë. Në të trija vetat është vetëm një vet. Veta e parë jamë unë që dialogoj, sepse më mundon fakti që dua t'i jap një mesazh njerëzimit.

Me cilët personazhe dialogoni?

Dialogoj me Odisenë. Pse dialogoj me Odisenë, do të thoni. Unë bëj dialog me Odisenë dhe i them, o Odise, o Prijësi i Itakës, të polli mendja një kalë të cilin trojanët e morën si trofe të Perëndisë. Dhe brenda në kal futen 16 trima, dhe ata gjynahqarët e marrin si një dhuratë të Olimpit dhe e marrin dhe e fusin brenda në kalanë e Trojës. Aty natën në festën e madhe që ikin të gjithë shpërthen barku i kalit dhe zhduket një Trojë, zhduket një qytetërim i paparë për atë kohë që flasim përpara tre mijë vjetësh, dhe i them: ti vërtetë bërë një gjest kaq të madh, të lumtë, por ti nuk e kupton Odise se i le një mesazh të fuqishëm njerëzimit që rri lart, që: Ruhuni nga Kali i Trojës, o njerëz. Jini gjithmonë vigjilentë se Kali i Trojës është kudo dhe të bënë gjëmën dhe të zhduk. Ky është një mesazh tepër i fuqishëm. Po kështu unë bëj një bisedë me Leonardo da Vinçin

Për çfarë bisedoni me Leonardo da Vinçin?!

Jam vetë te Leonardo.
Shkrihem vetë te Leonardo në vetën e dytë dhe i them për përsosmërinë e artit. A ka përsosmëri arti. Dhe Leonardo, domethënë unë, përgjigjem edhe si Leonardo, edhe si Ai që është në personazhin kryesor libër. Dhe Leonardo më thotë: Dëgjo, o mik i dashur, që ke ardhur këtu. Unë kam 500 vjet që jetojë nën tokë. I them unë: vërtetë o Leonardo ti jeton nën tokë, por ti nuk e di që je i pavdekshëm në sipërfaqen e tokës. Dhe po të pyes edhe njëherë. Arti a ka përsosmëri, sepse lart në botën e sipërme, po gërmojnë për të gjetur Kodin e Da Vinçit. A ka Kod Da Vinçi. Dëgjo më thotë mua: Përsosmëria është e paarritshme, i përsosur më thotë është vetëm Zoti. Ne të gjithë duhet të bëhemi të përsosur ashtu si Zoti, jo vetëm këtu ku ndodhemi, por edhe ata që ndodhen mbi sipërfaqen time, d.m.th në jetën e përditshme, duhet t'i bëjmë si Zoti, të dashurojmë si Zoti, larg krimit, dhunës larg gjithë anëve negative që shfaqen në individë të ndryshëm. Gjithashtu, unë e lidh edhe me një gjë tjetër që subkoshienca, nëndija është një element që kur vdes njeriu, disa thonë të shkëputet shpirti, disa thonë të shkëpute subkoshienca. Ç'është në fakt subkoshienca. Është ajo që ndikon tek celulat e njeriut është një trashëgimi e pandërprerë qysh nga fillimi i njerëzimit deri më sot, dhe njerëzit i bënë të ndryshëm, qoftë në pamje, qoftë në veshje, por mbi të gjitha në mendim. Disa janë të drejtë dhe ecin në rrugën e drejtë dhe janë të ndershëm dhe të sinqertë, disa të tjerë janë ana negative dhe këta që bëhen si përbindësha, trashëgojnë subkoshiencat e përbindëshave, gjejnë shteg në celulat e trurit që futen brenda dhe e manipulojnë njeriun që të mos eci në rrugën e drejtë, por të eci në rrugën e shtrembër dhe perëndia, Zoti i diferencoi dhe në moment të caktuar ai ia merr dhe jetën këtyre njerëzve që janë negativ. P.sh, më bënë përshtypje marrëdhënia midis Evës dhe Adamit. Doli një gjarpër, doli një hyjni dhe u çiftëzua dhe lindi Abelin, por më vonë doli një përbindësh dhe ky u çiftëzua me Evën dhe doli një Kain dhe më në fund Kaini për një copë tokë që do të caktonte Abeli mori një gur të madh dhe e goditi mbrapa kokës dhe e la të vdekur. Vëllai vret vëllanë, dhe kjo histori rrëqethëse, makabre, vazhdoi edhe në mesjetë dhe më e tmerrshmja vazhdon edhe në ditët e sotme. Kjo më bën shumë-shumë përshtypje. Të gjithë personazhet e mi, me të cilët unë dialogoj në botën e poshtme janë personazhet të cilët unë jo vetëm i shikoj të revoltuar sepse unë i diskretitoj në botën e sipërme, por ata nuk kuptojnë një gjë që ata kanë mbetur të pavdekshëm, jo për paraqitjen tyre, por mesazhin që më kanë dërguar. Marrim një shembull. Psh. Kapural Pelegrini. Bisedoj shtruar me të dhe më në fund i them: "kushdo që vjen dhe do të pushtojë tokën time,atdheun tim o Kapural, këtë fund do të ketë të tmerrshëm". Po kështu dhe me personazhet e tjerë, ku dialogu bëhet shumë intensiv dhe çdo artist në fakt ka shqetësime të tjera dhe e shikon jetën, e shikon realitetin dhe këto i pasqyron në botën e tij dhe nëpërmjet rrëfimeve të personazheve të ndryshëm, jep jo vetëm anën artistike të realizmit si figurë artistike, por edhe lë mesazhe të fuqishme për të ardhmen.

Duke i bërë një lexim të shpejtë veprës suaj, besoj se çdo njohës stili kupton se këtu ka një shprehje letrare të thellë, një njohje të pagabueshme të të kompozimit dhe një letërsi të vërtetët. Është ky libri i parë që shkruani?

-PO. Ky është libri i parë që shkruaj unë.

PO pse nuk keni shkruar më parë? -

Varet nga gjendja, nga përkushtimi, nga bluarja në kokë e subjektit. Të thashë edhe më parë e kam perceptuar librin të vjetër, duke gërmuar nëpër gërmadhat e antikiteteve dhe ka dalë ky libër. Unë nuk mund të mos përmend punën e madhe redaktuese të Josif Papagjonit, grafikën e zgjedhur për librin mikut tim Luan Nanaj apo përpunimin kompjuterik të fotografive nga Kujtim Sako e të gjithë këta. Dhe mbi të gjitha mundësia që m'u dha që unë ta botojë këtë libër që sot e kam para jush, që t'ua transmentojë lexuesit, spektatorit, qe falë ndihmës që dha kryetari i Bashkisë, zoti Shpëtim Gjika dhe Ministria e Kulturës. Miku im Ilir Bisha më ka ndihmuar shumë në këtë libër. Këta emra janë protagonistë kryesorë që bënë të mundur që ky libër të dali në dritë dhe të shpallet publikisht botimi për lexuesit dhe spektatorët që më kanë ndjekur në vite. Dhe një pyetje, që ka lidhje me karrierën tuaj. Mbetët në histori me rolin e Kapedanit dhe të ka dalë nami që "nuk i honeps dot femrat".

Ke personazhe femra në këtë libër?

-Fatkeqësisht jam në luftë me femrat aty në libër sidomos tek personazhi i “Kapedanit”, te xha Sulo. Kam një dhimbje shumë të madhe kur bisedoj me Xha Sulon, aq sa xha Sulo kur më shikon në botën e nëndheshme do që të më mbys të më vras, të më zhduki, sepse unë atij i kam bërë një krim shumë të madh e kam diskretituar në botën e sipërme. Mirëpo Xha Sulua nuk e kupton që nëpërmjet lojës i ka dhënë njerëzimit një mesazh tepër të fuqishëm, që gruaja është jo vetëm hyjni është e pastër në shpirt, është e gjerë, fal shumë, përkushtohet shumë, është shumë e sinqertë dhe gruaja duhet të zër vend të rëndësishëm në shoqëri dhe në drejtimin e shtetit dhe është një seks që respektohet dhe vetë natyra e bënë të dashur.

Cilat janë gratë e suksesshme që adhuroni?

-Adhuroj shumë gra. Më pëlqen e bukura, sinqeriteti, arritjet që kanë, që janë të vërteta në jetë. Por nuk dua të përmend emra, sepse ka shumë dhe nëse harroj ndonjë s'më vjen mirë. Unë personalisht si Albert Vërria, kam pësuar një ndjesi jo të mirë pas rolit te “Kapedani”, pavarësisht suksesit, sepse më kanë marrë sikur personalisht unë i kam inat gratë. Xha Sulon si personazh e kam futur në "ferr". Më prishi punë me gratë. Nuk ka më keq se të kalosh rrugës dhe të thonë se ky i ka inat gratë. Po, jo moj, do t'u thosha unë, i dua shumë gratë.. (qesh).


Kështu siç keni nisur të na surprizoni, besoj se të tjera projekte keni në sirtar?


-Kam kam disa projekte. Do të bëj një album me fotografi.. Janë shumë fotografi nga rolet. Në këtë libër nuk mund t'i fusja të gjitha. Nga rolet janë nga '70-'80. Unë do të fus në albumin e ri, të gjitha fotografitë dhe shumë citate që nga lashtësia dhe deri më sot. Do të bëjë si të thuash një libër, që mund ta quj edhe katalog, varet si mund ta perceptojnë redaktorët, por kam ëndërr ta bëjë këtë gjë.

Po ndonjë rol të ri, do ta ëndërroje?

-Natyrisht unë sot, edhe fuqi kam, edhe energji kam, edhe memorie kam, edhe shikim e kam shumë të mprehtë. Kam dëshirë të luajë një rol, por edhe diçka më vret në ndërgjegje mua. Mendoj se çdo artist, jo vetëm unë, kur ka një opinion të mirë tek spektatori duhet të jetë shumë i përgjegjshëm për të bërë akoma më mirë nga çka bërë. Sepse nëse unë do të bëj një rol dhe nuk do të jem në nivelin e duhur, unë i digustoj njerëzit. Dëshira ime për të marrë një rol është shumë e madhe. Më kanë ofruar role dhe përzgjedhja ime duke pasur paraysh atë që thashë më sipër më ka bërë të ngurojë.

Mendoj se fansat tuaj dhe artdashësit do të luteshin për një rol të ri?

-Do ta bëj, nëse është vërtetë kështu…


shkrimi u publikua tek Shqiptarja.com datë 24 tetor

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?