Presidentja e KE, Ursula von der Leyen

Kosova & Rajoni

Ursula von der Leyen në Mal të Zi: Keni përparuar, mbështes rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian

29 Shtator 2021, 20:17| Përditesimi: 29 Shtator 2021, 20:37

  • Share

MALI I ZI- Pas vizitës në Kosovë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mal të Zi. Von der Leyen mbajti një konferencë për shtyp me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Presidentja e KE-së, mbështeti rrugëtimin e qeverisë malazeze drejt Bashkimit Evropian, teksa tha se Mali i Zi ka bërë përparim të dukshëm në reformat e marra.

"Mali i Zi ka nevojë për dialog politik në mënyrë që të bëjë përparim. Ju keni bërë shumë. Është e rëndësishme që Mali i Zi të ruhet si një vend shumëfetar dhe shumetnik. Demokracia nuk përbëhet nga një parti apo një rrymë. Demokracia janë njerëzit. Nevojitet mbrojtja e pakicave. Mali i Zi ishte i pari në Ballkanin Perëndimor që legalizoi partneritetet e të njëjtit gjini. Ju jeni një shembull për rajonin dhe më gjerë, " u shpreh Leyen.

Ndërkohë, presidentja e KE-së, bëri me dije se do të akordojnë 20 milionë euro për Malin e Zi në mënyrë që të investohet në sektorët kryesorë.

"Ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes dhe të bëjmë investime strategjike në sektorët më kryesorë. Qytetarët e Malit të Zi meritojnë një të ardhme me punë më cilësore dhe të paguara mirë. Ne presim që Mali i Zi të propozojë projekte cilësore. Kjo do të mundësojë 20 milionë euro për projektet e ardhshme ”, tha Leyen.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç tha se qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është duke u cenuar nga provokimet e ndryshme.

"Ne jetojmë në një kohë kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik, falë ofensivës së interesave gjeopolitike të ndryshme që janë kundër sistemit të vlerave evropiane. Interesi i këtyre ndikimeve është pengimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Unë tregova vendosmërinë tonë për të arritur vlerat evropiane ”, tha presidenti Gjukanoviç.

Për Ursula von der Leyen kjo është vizita e parë zyrtare në Mal të Zi, e cila u prit nga kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiç. Presidentja e Komisionit Evropian arriti në Podgoricë pas vizitës në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë si pjesë e turneut në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ditën e nesërme, Presidentja e KE-së do të vizitojë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?