Ulet numri i lindjeve, sociologia tregon faktorët që ndikojnë: Emigrimi dhe pasiguria në punësim! Çiftet e reja duan të kenë kushte kur bëjnë planifikim për familje

26 Maj 2023, 12:05| Përditesimi: 26 Maj 2023, 12:23

  • Share

Sociologia Doralda Tanellari përmend emigrimin, pasigurinë e punësimit që ndikon në ekonomi si faktorë që kanë ndikuar në uljen e numrit të lindjeve në vendin tonë. E ftuar në Report Tv në emisionin ‘Sot live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu tha se çiftet e reja që nuk kanë stabilitet ekonomik pasi nuk kanë siguri për qëndrimin në një pozicion pune, nuk e planifikojnë një fëmijë ose mendojnë emigrimin se mund të kenë kushte më të mira.

“Nuk do përjashtoja emigrimin. Ajo që do veçoja si element shumë i rëndësishëm që lidhet dhe me pjesën socio ekonomike është punësimi. Shoh problematika që lidhen me punësimin e të rinjve dhe afatgjatësinë e tyre për të qëndruar në një vend pune. Kjo lidhet se të rinjtë apo familjet e reja nuk mund të krijohen nëse nuk kanë një stabilitet ekonomik. Është shumë e vështirë për një çift me kushte ekonomike e pasigurinë e punësimit të marrë përsipër që të sjellë në jetë një fëmijë. Zgjedhja është largimi i vendit. Shqiptarët sot mendojnë se të lindësh fëmijën jashtë vendit i siguron mundësinë për të patur nënshtetësi tjetër, kushte më të mira shëndetësore dhe shumë elementë të tjerë që ndoshta në Shqipëri i kanë në mangësi”, tha Tanellari.

Sociologia u shpreh se ka ndryshuar edhe struktura e familjes se gratë janë më të fokusuara në karrierë dhe mendojnë gjatë për sjelljen në jetë të një fëmije se duan t’i sigurojnë kushte.

“Struktura e familjes ka ndryshuar se ka numër më të ulët të martesave. Çiftet zgjedhin të bashkëjetojnë e të bëjnë fëmijë por jo të kenë martesë. Gratë sot kanë mundësinë të shkollohen, të ndërtojnë karrierën, gjë që shtyn kohën kur duan të krijojnë familje. Është i rëndësishëm vetëaktualizimi i individit.

Me ndryshimin e strukturës së familjes dhe dëshirë së individit për karrierë, shtyn edhe moshën e martesës e lindjes së një fëmije. Sot mendohen më tepër se sa dje për t’i ofruar kushte. Është shumë mirë që në Shqipëri ndodh tashmë planifikimi familjar për të krijuar kushtet e duhura por jo gjithmonë është në dorën e individit për të vendosur se kur duhet të jetë koha për të pasur një fëmijë apo jo”, tha Tanellari.

Numri i lindjeve në vendin tonë, për tremujorin e parë të vitit 2023, ka rënë në nivelin më të ulëta historike të regjistruara ndonjëherë më parë.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?