Ekonomi

Ulet në 1.7 mld lekë stoku i rimbursimit të TVSH-së, drejt shuarjes borxhi i tatimeve ndaj biznesit

7 Korrik 2021, 17:33| Përditesimi: 7 Korrik 2021, 17:45

  • Share

Rikuperimi i aktivitetit ekonomik dhe rikthimi i bizneseve thuajse në normalitet ka ndikuar edhe në rimbursimin e TVSH-së për sipërmarrjet. Administrata tatimore njofton se stoku i rimbursimeve është drejt shuarjes.

Në fund të muajit qershor borxhi që tatimet i kishin bizneseve ishte rreth 1,72 miliardë lekë, nga 5.9 miliardë lekë që ishte në tremujorin e parë të këtij viti. Stoku është ulur me 85 % krahasuar edhe me tremujorin e dytë 2020.

Qeveria ka pasur si objektiv shlyerjen e të gjithë detyrimit brenda muajit qershor të këtij viti, por situata me pandeminë bëri që ky synim të shtyhej për në dhjetor 2021. Pra, në fund të këtij viti synohet që të mos ketë më asnjë borxh për rimbursimin e TVSH-së.

Ndërkohë në tremujorin e dytë të këtij viti sipas tatimeve janë rimbursuar gjithsej 7,80 miliardë lekë. Gjatë këtij tremujori, rreth 4,20 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste.

Në periudhën prill-qershor është arritur që të likuidohet plotësisht detyrimi që tatimet kishin ndaj TAP, që ka pasur pjesën më të madhe të stokut të rimbursimit të TVSH-ë gjatë viteve të fundit.

Po ashtu është arritur që gjatë tremujorit të dytë të rimbursohen në kohë pa krijuar stok edhe kërkesat e ardhura nga bizneset e vogla. Në total numri i kërkesave nga bizneset e vogla të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qenë në total 375 me vlerë rreth 3,60 miliard lekë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?