Uji i ndotur në çezma, banorët në Këlcyrë: Po na helmojnë! Ujësjellësi: Mund ta konsumoni

6 Qershor 2023, 19:38| Përditesimi: 6 Qershor 2023, 19:51

  • Share

Banorët e fshatit Bedyqas në Bashkinë Këlcyrë kosumojnë ujë të ndotur.  Uji në çezma shkon i turbullt, me mbetje rëre, ndaj kanë gjetur rrugën e shkurtër duke mbushur ujin e pijshëm nga burimet natyrore.

 “Është me rërë dhe papastërti”, tha një banor, ndërsa pyetjes së gazetarit se si ia bëjnë për të pirë, ai tha se “kemi një çezme këtu në fshat, marrim për të pirë, ndërsa ujin e çezmës vetëm për të larë e përdorim”.

“Atje lart është depoja rrafsh me tokën dhe mund të futet çdo gjë. Ujërat për të larë e shplarë i përdorim, ndërsa për të pirë mbushim me bidonë”.

“Jam me gjithë plakën marrim 10 mijë lek pension. Shesim dy bidona qumësht dhe blejmë ujë”.

“Unë s'paguaj fare e kam prerë ujin me bashkinë, më erdhën ca fatura të larta dhe kam hapur pusin, nuk marr fare nga ujësjellësi”, u shprehën të tjerë banorë të fshatit.

Për të vërtetuar pretendimet e tyre, ne kërkuam nga një banor të demonstronte cilësinë e ujit në rubinetin e shtëpisë.

“Shikoje ujin ...! Këta s’janë në rregull more, po e helmojnë popullin. Shiheni si vjen me mbeturina nga andej (depoja)” Ky ujë vetëm për të vaditur perimet mund të përdoret”, tha banori.

Ndërmarrja e Ujësjellësit të Këlcyrës nuk merr në konsideratë ankesat e banorëve, të cilët rrezikojnë helmimin. Përgjegjësja Dhurata Aliaj pretendon se analizat kryehen periodikisht.

“Sa i përket ankesës bëhet dezinfektimi me klor në depo dhe analizat janë bërë dhe ka dalë që është I pijshëm. Do shkojmë ta verifikojmë nëse nuk është në cilësinë e duhur”, shprehet  Dhurata Aliaj përgjegjëse e Ujësjellësit  

Fshati Bedyqas ka gati 200 banorë dhe përherë përgjatë viteve të fundit, banorët e tij janë ankuar për cilësinë e ujit në rubinetat e banesave të tyre.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni sulmet ndaj kreut të SPAK, Dumani, e drejtësisë së re?