Udhëtuan të dy në Itali, babai e braktis për 'një jetë më të mirë' pasi nuk kishin para, adoleshenti shqiptar kërkon ndihmë në polici nëpërmjet google translate

28 Tetor 2023, 08:44| Përditesimi: 28 Tetor 2023, 09:02

  • Share

Një adoleshent, 15-vjeçar, me origjinë shqiptare është paraqitur para disa ditësh në stacionin policor Navile në Bolonja, duke kërkuar ndihmë dhe duke u shpjeguar atyre se babai i tij e kishte braktisur për shkak se ky i fundit nuk kishte para, me premtimin se do të ketë “një jetë më të mirë”. 15-vjeçari kishte mbërritur në Itali pak ditë më parë, të enjten e 19 tetorit, me një fluturim nga Shqipëria dhe ishte nisur për në aeroportin Malpensa të Milanos, i shoqëruar nga babai i tij, i cili më pas e kishte lënë vetëm adoleshentin.

Adoleshenti, i cili nuk flet italisht, por që gjithsesi arriti të kërkonte ndihmë nga policia duke përdorur përkthyesin automatik të Google (Google translete), trokiti në dyert e forcave të rendit mbrëmjen e së martës 24 tetor, rreth orës 19:00 me orën lokale, pasi kishte kaluar një natë në një park të qytetit. I riu, i cili u shfaq qartësisht i frikësuar nga përvoja që po përjetonte, por me shëndet të mirë, i tha policisë se ishte braktisur nga babai i tij, 46-vjeç.

Policia italiane arritën ta qetësonin djalin, i cili dëshironte t’i falenderonte të gjithë për mikpritjen dhe ndihmën e tyre. Ata e kanë dërguar 15-vjeçarin nën kujdesin e ndihmësve të Emergjencave Sociale të Bolonjës. Babai i 15-vjeçarit, megjithatë, siç konfirmoi policia u bë i pagjurmueshëm pas kthimit në Shqipëri në 24 orët në vijim, raporton media italiane.

Babai i 15-vjeçarit është denoncuar në Prokurori me akuzën për braktisje të të miturve dhe nxitja e emigracionit të paligjshëm.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?