Milorad Dodik

Udhëheqësi serb, pro-rus i Bosnjës, ripërsërit kërcënimin për shkëputje

10 Tetor 2022, 19:48| Përditesimi: 10 Tetor 2022, 19:51

  • Share

Udhëheqësi separatist serb i Bosnje dhe Hercegovinës Milorad Dodik përsëriti të hënën kërcënimin për shkëputje të Republikës Serbe, një javë pasi zgjedhjet e përgjithshme në vendin e ndarë etnikisht, treguan se partia e tij vazhdon të mbizotërojë mes serbëve.

Udhëheqësi pro-rus Dodik shkaktoi krizën më të rëndë politike në Bosnjën e pasluftës dhjetorin e kaluar, kur u përpoq ta nxirrte Republikën Serbe nga institucionet kryesore shtetërore, si gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e përbashkëta të armatosura.

Përballë sanksioneve të SHBA-ve dhe Britanisë si dhe rritjes së pranisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë, nxitur nga frika se lufta në Ukrainës mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor, Dodik u tërhoq, duke thënë në atë kohë se ai po e shtynte, por nuk po e braktiste planin.

Në një konferencë shtypi në Beograd, Dodik iu rikthye kritikës ndaj strukturës aktuale të Bosnjës, duke thënë se ishte një shtet jofunksional i krijuar nga të huajt.

Sipas marrëveshjes së paqes të Dejtonit që i dha fund luftës së viteve 1992-1995, Bosnja u nda në dy rajone autonome - Republika Serbe dhe Federata e ndarë mes kroatëve dhe boshnjakëve - të lidhura nga një qeveri e kombëtare e brishtë.

"Ne e kemi krijuar Republikën Srpska si një shtet të pavarur dhe nuk e kemi pranuar kurrë Bosnjën si një shtet të përbashkët," tha zoti Dodik, i cili mbante postet e presidentit dhe kryeministrit të rajonit që nga viti 1998, si edhe vendin e anëtarit serb në presidencën trepalëshe ndëretnike të vendit.

"Bosnja duhet t’i kthehet kushtetutës (origjinale). Nëse kjo nuk është e mundur, ajo duhet të shpërbëhet," tha zoti Dodik.

Dodik, i cili vazhdimisht thekson lidhjet e tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban, shpalli fitoren e partisë së tij në të gjitha nivelet e qeverisjes, duke përfshirë garën për president të republikës serbe.

Ai tha se donte të fliste për mediat serbe sepse disa "janë përpjekur të vënë në dyshim fitoren e tij."

Një bllok i partive opozitare e ka akuzuar atë për manipulim të votave presidenciale dhe ka kërkuar rinumërim. Ata mbajtën protesta në kryeqytetin de fakto të rajonit Banja Luka, ku morën pjesë mijëra mbështetës.

Komisioni zgjedhor i Bosnjës tha se do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për rinumërim pas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve që pritet të dalë në fillim të nëntorit. Dodik tha gjithashtu se ekipi i tij ligjor do të përpiqet të sfidojë pozicionin e të dërguarit ndërkombëtar për paqen Christian Schmidt, duke thënë se ai e ka "uzurpuar" punën pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ju duken të sigurta kushtet e rrugëve në Shqipëri?