Udhëtimi i Ismail Qemalit për
Pavarësinë, Ikonomi: Si i zbulova arkivat

8 Nëntor 2012, 22:34| Përditesimi:

  • Share
Historia e bujshme e vitit 1911, kur Ismail Qemali si deputet i Vlorës në parlamentin turk dhe Hasan Prishtina deputet i Kosovës i kishin kërkuar Portës së Lartë të bënte reforma në Shqipëri, e shqiptarëve t’u njihej e drejta për t’u vetëqeverisur, krijoi një varg situatash konfliktuale dhe gati të pabesueshme.

Në librin “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”, i cili u promovua sot pasdite, Ilir Ikonomi, edhe pse u është referuar arkivave në Amerikë dhe në vende të ndryshme të Europës, nuk e beson dot historinë që ka lexuar dhe thotë se “Në këtë libër duket aq e pabesueshme sa që i ngjan një legjende”. “Njëqind vjet më parë shqiptarët jetonin në katër vilajete dhe ishin pjesë e Turqisë.

Shqipëria nuk ekzistonte në kuptimin e shtetit dhe ajo mund të mos bëhej as ky shtet që ne njohim sot, po të mos ishte një njeri i quajtur Ismail Qemal bej Vlora..”, thotë Ikonomi. Ky libër flet me hollësi për udhëtimin e paharruar të Ismail Qemalit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë “pa ushtarë e pa gjakderdhje”. Faktet që jepen në këtë libër janë nxjerrë nga qëmtimi i më shumë se dyqind librave, botimeve të vjetra e të reja, që trajtojnë historinë e asaj periudhe.

Janë nxjerrë të dhëna nga gazeta të panumërta austriake, angleze, rumune, gjermane, italiane, serbe, franceze, amerikane dhe shqiptare. “Për fillimet e shtetit shqiptar është folur dhe do të flitet shumë, por udhëtimi i Ismail Qemalit nga Stambolli në Vlorë për të shpallur pavarësinë, do të mbetet fara e asaj historie të re”, thotë Ikonomi.

Autori thotë se ky libër mund të mos ishte shkruar dot pa ndihmën e Darling Ismail Vlorës, stërnip i Ismail Qemalit, “i cili me shumë bujari më ofroi materiale dhe dokumente të panjohura për mua”. Gjyshi i tij ishte Qamil bej Vlora, njëri prej djemve të Ismailit. “Komunikimi me Darlingun më dha rast ta përjetoja më mirë trashëgiminë që kjo familje e madhe i ka lënë Shqipërisë”.

Libri sipas autorit është bërë në bashkëpunim me historianët dhe studiuesit B.Meta, B.Destani, L.Dushku, K.Frashëri, V.Kondi, I. Ciko, F.Popa, A.Esmer, A.Droboniku, K.Csaplar, S.Dajo, E. Merlika, U.Butka, N.Kotherja, A.Ndreca, B.Peçi, P.Kabo, I.Agolli, A.Pruthi, Dom N.Ukgjini, E.Domi, G.Mjeku dhe A.Andoni.

Të gjitha arkivat të marra së bashku sjellin në dritë, jo vetëm një portret shumë të plotë dhe familjar për Ismail Qemalin, por edhe fakte befasuese. Kapitulli i pestë kushërinjtë rivalë sjellin faktet të reja për tradhtinë që i është bërë themeluesit të Pavarësisë nga kundërshtarët, ku për fat të keq mes tyre përfshihen edhe Syrja bej Vlora me të birin Eqrem Vlorën, miq të ngushtë me Esat Pashë Toptanin.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?