Presidenti Ilir Meta dhe Kryetarja e Kuvendit LIndita Nikolla

Politikë

Meta uron Lindita Nikollën në krye të Kuvendit, kritika PD që bojkotoi votimin duke grisur fletën: Asnjë sekondë bojkot, nuk ka vlerë e kuptim! Do bashkëpunojmë

10 Shtator 2021, 19:03| Përditesimi: 10 Shtator 2021, 21:44

  • Share

Menjëherë pasi u zgjodh kryetare Kuvendi me 79 vota pro dhe 4 kundër, presidenti Ilir Meta ka uruar Lindita Nikollën, ndërsa nuk ka kursyer kritikat për PD e cila bojkotoi votimin e saj duke grisur fletat në mes të Kuvendit. 

"Urime Kryetares të zgjedhur sot nga Kuvendi i ri i konstituar i Republikës së Shqipërisë! Më në fund kemi mbyllur dy vitet më të errëta të historisë tonë parlamentare, në këto tre dekada, me pasoja shumë të rënda dhe afatgjata për demokracinë, shtetin e së drejtës, integrimin europian dhe gjendjen ekonomike e sociale të qytetarëve tanë".

Pasi u betua, Berisha, u largua nga parlamenti duke bojkotuar votimin për kryetaren e re të Kuvendit. Bojkoti u vijua edhe nga deputetët e PD në sallë, të cilët grisën të gjitha fletat e votimit dhe i hodhën në tokë, ndërsa gjatë fjalës së Nikollës filluan t'u binin tavolinave me duar. Vendimi i tyre për të mos votuar është kritikuar nga Meta i cili në reagim thekson se tani nuk duhet të ketë bojkot pasi sipas tij nuk ka vlerë dhe kuptim. Kujtojmë se ndryshe nga PD, Monika Kryemadhi dhe 3 deputetët e tjerë të LSI votuan për kryetaren e Kuvendit, ndonëse të gjithë kundër zgjedhjes së saj.

"Tani asnjë sekondë bojkot, nuk ka vlerë dhe kuptim! Mbështetje për Kryetaren e zgjedhur, Sh.S.Znj Lindita Nikolla dhe bashkëpunim për interesin e përbashkët të forcimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, rivendosjes së llogaridhënies në Kuvend dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, shkruan Meta.

Meta si duket është bërë më paqësor në prag të vendimit të Kushtetues për shkarkimin e tij dhe mes rreshtash nënvizon se do të bashkëpunojë me të për interesin e përbashkët, duke shtuar se sipas tij janë mbyllur 2 vitet më të errëta të historisë parlamentare të vendit. Lindita Nikolla do të zërë vendin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Më një pjesëmarrje prej 137 deputetësh në votim, Nikolla u zgjodh me 79 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa procesi i votimit u shoqëruar me incidente nga deputetët e Partisë Demokratike.

Komento

Komente

  • Sifi: 11/09/2021 16:54

    Cfar pati Meta ! Ndryshoi ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?