U shpall Kryevlerë Kombëtare/ Historia e valles devollite, pasurisë së çmuar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale

28 Dhjetor 2023, 16:57| Përditesimi: 29 Dhjetor 2023, 17:13

  • Share

Pas shqyrtimit të propozimit të Shoqatës atdhetare kulturore “Devolli” dhe Bashkisë së Devollit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale vendosi që kjo valle burrash që interpretohet në zonën e Devollit dhe Korçës, që ngre peshë zemrat e shqiptarëve sa herë që kulmon nëpër festa e gëzime, të hyjë listën e kryevlerave kombëtare! Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Kulturës duke treguar edhe zanafillën e kësaj tradite.

“Vallja Devollite e ka origjinen dhe luhet në të gjithë zonën e Devollit dhe të Korçës nga të gjithë brezat, nga fëmijët deri tek të moshuarit. Ajo ështe valle burrash shumë e vjetër e kesaj zone.

Nga shekulli XIX vjen edhe e shoqëruar me këngë, interpretime të fyellit, tambures dhe dajres. Më pas, në vitet 1900 futet edhe klarineta. Vallja luhet vetëm nga burrat me kostumet kombëtare të zonës, fustanella, kallça, këpucë më xhufka, çepkenë dhe qeleshe.

Vallja vjen në trajtën e një balade, fillon ngadalë shtruar, mbështetur fort, duke pasqyruar jetën, sakrificat, mbijetesën, luftën dhe në fund atmosferën dinamike festive të fitores. Me ritmin, figurat, lëvizjet dhe muzikën, ajo na sjell një koreografi komplekse të harmonizuar në mënyrë organike. Regjistrimet e para në pllaka gramafoni jane realizuar në vitet 1918-1930 në studiot diskografike amerikane, italiane, franceze dhe gjermane. Në gusht 1957 në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Moskë, midis 135 vendeve, grupi i Valles Devollite fitoi Çmimin II.

Kjo valle ka qënë gjithmonë momenti kulmor i gjithë festave familjare, dasmave, festave publike si dhe në situata festive të luftës dhe fitores. Ajo ka përfaqësuar kulturën e lashtë të Devollit në të gjitha ngjarjet e mëdha kulturore kombëtare si festat, festivalet kombëtare etj, ku ka marrë vlerësime maksimale. Vallja Devolliçe paraqitet në formë artistike të kristalizuar dhe të përkryer. Kjo tregon për nivelin e arritur të një krijimi që vjen nga thellësitë e shekujve; prandaj përbën edhe një element kulturor të qëndrueshëm. Kjo është arritur për shkak, pasurimit të saj me ide dhe vlera të reja ideoestetike, grumbullimit të përvojës artistike e të transmetimit të saj nga njëri brez te tjetri. Ajo eshte nje akt krijues shpirtëror qe shpreh njëherësh edhe një shkallë të lartë të vetëdijes artistike të fshatareve te Devollit.

Në ditët e sotme kjo valle është bërë pikë referimi për kulturën popullore të zonës, duke pasuruar dhe duke rritur vlerat kombëtare të artit koreografik shqiptar. Devolliçja është një nga vallet më të vjetra shqiptare, fryt madhor i krijimit popullor, për nga fryma, madhështia, struktura dhe elementet shprehës estetikë, një përsosmëri e harmonizuar koreografike, një nga thesaret e çmuara më të mëdha të trashëgimisë së kulturës kombëtare shqiptare”, shkruhet në mediet sociale të Ministrisë së kulturës, bazuar në literaturën e studiuesëve Nexhat Agolli " Vallet Devolliçe te burrave dhe variantet e saj”;Vaso S. Tole: “Sazet- Muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998; B. Kruta: “Vështrim i përgjithshëm i polifonisë shqiptare dhe disa çështje të gjenezës së saj”, Kultura Popullore, 1980/1;Dritero Agolli: Intervistë, Tiranë 25 nëntor 2008, Poema “Devoll, Devoll” Arkivi i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Ramazan H. Bogdani, Mjeshtër i Madh: 'Vallja shqiptare me fustanellë', bashkësitë folklorike shqiptaro – arbëreshe, kumtesë e mbajtur në Simpoziumin etnokulturor në Otranto të Italisë.

Ndërkaq kujtojmë se kjo valle, që konsiderohet si një nga kryeveprat e koreografit Gëzim Kaceli  është pjesë e Fondit të Artë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të TKOB.

 

A.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?