Sendet e sekuestrua nga policia

Kronikë

U plagos nga efektivët pasi tentoi t'i qëllonte, roja i kanabisit në Fier në gjendje të rëndë! SHÇBA: Veprimet e policisë të rregullta, qëlluan në kushtet e vetëmbrojtjes

18 Maj 2021, 15:05| Përditesimi: 18 Maj 2021, 15:09

  • Share

Greseld Shpataraku, roja i kanabisit që u plagos dje nga Policia në Fier, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.

Policia qëlloi ndaj të riut, i cili mori një plumb në shpatull, pasi ai tentoi t'i përgjigjej atyre me zjarr kur u zbulua duke ruajtur bimët e kanabisit që kishte kultivuar. Ngjarja u regjistrua në fshatin Gjorgoz në Cakran të Fierit, në një zonë të pyllëzuar.

Me një reagim ditën e sotme, SHÇBA ka sqaruar dinamikën e ngjarjes, duke i konsideruar veprimet e policisë të rregullta dhe se qëlluan me armë ndaj të riut në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.

"Nga hetimet paraprake të kryera në vendngjarje dhe nga deklaratat e dëshmitarëve u arrit në përfundimin se veprimet e punonjësit të policisë klasifikohen si të rregullta juridikisht dhe në përputhje me procedurat standarde të përdorimit të armës, duke qenë tërësisht në kushtet e mbrojtjes së nevojshme", thotë SHÇBA.

Sipas SHÇBA, policët u ndeshën me 29-vjeçarin gjatë kontrollit në terren për kultivim të bimëve narkotike dhe i bënë atij thirrje të ndalonte, por Shpataraku ka shfaqur rezistencë duke mbushur armën për të qëlluar në drejtim të tyre.

Në kushtet e një situate të tillë, punonjësi i policisë ka qëlluar në drejtim të të riut të armatosur duke e plagosur atë në shpatull.

Në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• 1 automatik me dy krehëra të lidhur me natriban, të mbushur me nga 30 fishekë secili. Automatiku në vendngjarje u gjet në gjendje të gatshme për të realizuar qitjen;

• rreth 180 fishekë me pako të cilat u gjetën në çadrën e vendstrehimit;

• çadër strehimi i tipit alpin me tesha për fjetje dhe ushqime.

• rreth 270 gota të mbjella me fidanë të bimës Kanabis Sativa, dhe dy parcela me 23 bimë të mbjella në tokë;

• 1 telefon celular.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?