U përplasën nga 'G Class-i' teksa kalonin vijat e bardha, del nga spitali çifti Konomi

9 Qershor 2022, 08:12| Përditesimi: 9 Qershor 2022, 09:16

  • Share

TIRANË- Mëngjesi i kësaj të enjteje ka nisur me një lajm të mirë. Arjan dhe Vilma Konomi, çifti që u aksidentua duke kaluar në vizat e bardha në “Rrugën e Kavajës” kanë lënë spitalin, një muaj nga ngjarja. Mësohet se ato kanë kaluar rrezikut për jetën.  Arjan dhe Vilma Konomi u aksidentuan nga Ajas Sulejmani, i cili përplasi çiftin në vijat e bardha. Për fat të mirë, foshnja 3 muajshe e çiftit ka shpëtuar pa asnjë dëmtim, për shkak të veprimit që bëri Arjan Konomi, duke shtyrë karrocën vetëm pak sekonda para se të "merreshin përpara" nga G-Class.

Aktualisht Ajas Sulejmani është në burg, ndonëse avokati kërkoi një masë më të lehtë me argumentin se nuk paraqet rrezikshmëri dhe se ka 3 fëmijë të mitur. Ai u largua nga vendi i ngjarjes fill pas përplasjes, por u arrestua më vonë në një klinikë private. Suljemani justifikoi largimin duke thënë se e bëri për vajzën e tij të vogel, që ndodhej me të në momentin që ndodhi aksidenti. Pas arrestimit, efektivët e policisë thanë se Sulejmani ishte nën efektin e lëndëve narkotike, por vetë ai e mohoi. 

Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane, ishte shoqëruar edhe më herët në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor. Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet nëse Sulejmani e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?