U mbollën dy vite më parë, thahen pishat në Sarandë! Drejtori i gjelbrimit: Mund të jetë prishur rrënja nga pakujdesia në transport

27 Mars, 18:43| Përditesimi: 27 Mars, 19:21

  • Share

Dy vite më parë, kur u rikonstruktua Shëtitorja e Sarandës u mbollën 109 pisha por sot të paktën 15 prej tyre janë tharë plotësisht dhe 25 po shkojnë drejt tharjes. Drejtori i Ndërmarrjes së Gjelbërimit në bashkinë Sarandë Jashar Bello tha nuk është treguar kujdes gjatë mbjelljes së fidanëve.

“Faktor është pjesa nëntokësore, nis nga zgjedhja e fidanëve e deri tek mënyra e mbjelljes së tyre. Mund të ketë ndikuar transporti i tyre, tronditja e sistemit rrënjor. Mund të jetë prishur sistemi rrënjor nga pakujdesia në transport. Punonjës tek kompania kanë thënë se disa fidanë ishin rrënjë, ishin dëmtuar. Por mund të ketë ndikuar dhe hapja e gropave, varet me ca materiali janë mbushur”, tha Jashar Bello.

Bashkia e Sarandës do të bëjë zëvendësimin e fidanëve të cilët kanë shfaqur problematikën e tharjes dhe do të kryhen analiza për të gjetur edhe shkakun.  

“Do të bëjmë shkuljen e tyre dhe do të shohim konkretisht se çfarë e shkaktoi tharjen në mënyrë që të mos përsëritet me fidanët e rinj”, shtoi Bello.

Shëtitorja e Sarandës një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit kushtoi 4.7 milionë euro dhe punimet përfunduan në vitin 2022.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?