Në hetim për aferën e ish- kompleksit 'Partizani' Berisha ankimon masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’

30 Tetor 2023, 12:59| Përditesimi: 30 Tetor 2023, 16:36

  • Share

Ish-kryeministri Sali Berisha përmes avokatit Genc Gjokutaj, ka ankimuar masën e sigurisë 'detyrim paraqitje' dhe ndalim për daljen jashtë vendit, në lidhje me hetimet që po kryhen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nga ana e tij Berisha nuk ka pranuar të paraqitet për t’u marrë në pyetje, as të përfaqësohet në gjyq, ndërkohë që i kanë caktuar avokat nga shteti. 

'Unë depozitova ankimin ndaj Apelit. Vendimi për seancë e verifikimit të ekzekutimit nuk është depozituar akoma, kjo është një shkelje akoma më e madhe flagrante, në përpjekje të gjykatës edhe për të na humbur afatin, pasi sigurisht për masat e sigurimit kanë një praktikë antiligjor që kanë aplikuar dhe kjo praktikë ka hequr mundësinë për të bërë ankim me argumente. Ne e kemi dorëzuar dhe kemi thënë shkakun përse ky ankim është i paplotësuar për pjesën e verifikimit të masës. Të dyja vendimet janë pasojë e mos konsiderimit të provave dhe rrethanave ashtu siç ligji e kërkon. Të dyja vendimet janë nul.'- tha Gjokutaj.

Avokatët e Berishës pretendojnë se masa që është dhënë nga Gjykata e Posaçme është në shkelje të kushtetutës. Ata pretendojnë se nuk ka vepër penale apo prova për të cilat akuzohet Berisha. Ndërkohë nuk ka dhënë detaje nëse Berisha do të paraqitet ose jo në gjykatë të hënën e parë të çdo muaji, që i bie data 6 nëntor.

Gjykata e Posaçme konfirmoi pak ditë më parë masën detyrim paraqitje dhe bllokim të përdorimit të pasaportës për ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas vendimit, Berisha duhet të paraqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00. Ish-kryeministri refuzoi të paraqitet në gjyq, me argumentin se nuk mund të shkelë Kushtetutën, duke iu referuar imunitetit që ka si deputet i Shqipërisë. Ndaj Sali Berishës u dha masa 'detyrim paraqitje' të shtunën e 21 tetorit, ku u arrestua dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe u la  në masën detyrim paraqitje ndërtuesi Fatmir Bektashi.

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi akuzohen për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”.  Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.

Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?