Muriqan

U kap në Muriqan, rusi Igor Kokunov do të ekstradohet në Moskë! E konfirmon dhe Apeli

20 Mars, 12:42| Përditesimi: 20 Mars, 12:48

  • Share

TIRANE- Rusi Igor Kokunov i cili u arrestua në gusht të vitit të kaluar në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në Shkodër do të ekstradohet.

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm la sot (20 mars 2024) në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkodrës e cila i dha dritë jeshile ekstradimit të tij.

Kokunov ishte shpallur në kërkim nga interpol Moska pasi po hetohet për akuzën ‘marrje e një pozicioni më të lartë në hierarkinë kriminale ndërsa u arrestua në Muriqan më 26 gusht 2023

Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol NCB Moskë, referuar vendimit penal administrativ dhënë nga Gjykata e Moskës më datë 18.02.2022. Gjykata ruse ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrja e një pozicioni më të lartë në hierakinë kriminale”, parashikuar nga neni 210/1 i Kodit Penal i Republikës së Rusisë dhe dënimi maksimal i kësaj dispozite është 15 vjet burgim.

14 nëntor 2023 Gjykata e Shkodrës e pranoi kërkesën për të lejuar ekstradimin. Vendimi u ankimua në Apel nga rusi Kokunov, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe refuzimin e ekstradimit në Federatën Ruse.

Kështu i hapet rruga ekstradimit të tij në Moskë. Një kopje e këtij vendimi i komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.

Vendimi në Gjykatën e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm u mor nga gjyqtarja Lutfije Celami.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?