U kap me 50 kg hashash të presuar në banesë dhe 240 rrënjë canabis, lihet në burg 38-vjeçari në Berat

26 Tetor 2023, 18:15| Përditesimi: 26 Tetor 2023, 18:55

  • Share

Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka dhënë sot masën e sigurisë për 38-vjeçarin Petrit Dyli,i cili u arrestua 3-ditë më parë në kuadër të operacionit policor të koduar "Brothers",ku e gjetën dhe asgjësuan 50.5 kg Hashash i presuar brenda në një banesë në fshatin Pobrat në Dimal dhe 240 rrënjë canabis,të mbjella në një parcelë afër banesës.

Gjatë seancës, avokati i 38-vjeçarit Dyli ka kërkuar kryerjen e analizave të ADN-së në vendngjarje duke pretenduar se klienti i tij nuk ka pasur asnjë lidhje me drogën e gjetur në banesë dhe se në vendngjarje nuk ka asnjë shenjë gishtash të klientit të tij.

Fillimisht pretendimet e avokatit ditën e arrestimit që klienti i tij vuan nga probleme të shëndetit mendor kanë rënë poshtë, pas ekzaminimit mjeko-ligjor të mjekëve ekspertë.

Pasi ka dëgjuar prokuroren Albjona Papajani dhe avokatin mbrojtës, gjyqtarja Klejda Çapja ka vendosur për 38-vjeçarin Petrit Dyli masën e sigurisë "arrest në burg" me afat 45-ditë,deri në pritjen e aktit të analizave të ADN-së në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar "Brothers" që u zhvillua të Shtunën, është shpallur në kërkim edhe vëllai i 38-vjeçarit,Armando Dyli,40-vjeç.Gjatë këtij aksioni, në banesën e vëllezërve Dyli,që ndodhej në anë të aksit nacional Dimal-Fier u gjetën edhe disa ambiente të përshtatura për tharjen e lëndës narkotike.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?