U kap duke futur mallra kontrabandë në Portin e Vlorë, lihet i lirë Elidon Çela

20 Shkurt 2023, 10:47| Përditesimi: 20 Shkurt 2023, 13:03

  • Share

Gjykata e Vlorës liroi Elidon Çelën, i cili u arrestua pak ditë më parë nga policia e Vlorës, pasi u kap me mallra kontrabandë, si pesticide, ilaçe dhe shishe me shampanjë “Don Perinjon”.

Në furgonin e 32-vjeçarit, pronar i agjencisë “Buon Aventura” mallrat e ndaluara ishin pa faturë blerjeje.  Ai akuzohet për “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë", “Kontrabandë me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabandë me mallrat e licencuara”.

Në tetor të vitit të kaluar, Elidon Çela u arrestua pasi iu gjetën 500 mijë euro të fshehura në një autobus në vendin e kondicionerit, por më pas u lirua.

Gjykata e Durrësit liroi me ‘detyrim paraqitje’ Elidon Çelën, megjithëse prokuroria e Durrësit kërkoi 'arrest me burg'. Ndërkohë po për shkak të hetimit shuma prej 516 mijë eurosh do të qëndroje e sekuestruar. Pasditen e 21 tetorit, u sekuestruan 522 mijë euro të fshehura në një autobus në zonën e kondicionerit.

Paratë ishin të futura në qese marketi dhe u zbuluan nga gjurma e zezë e lënë në skaner dhe u arrestua Elidon Çela, 32 vjeç, drejtues dhe pronar i autobusit me targë AB 633 FZ, pjesë e Agjencisë së Transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje dhe Padova. Bashkë me të, policia arrestoi dhe 2 ndihmës shoferët e tij, Dritan Kamberi, 36 vjeç dhe Anold Cankja, 32 vjeç.

Autobusi që po transportonte 522 mijë euro cash ka hyrë nga porti i Barit në vendin tonë, por rezultonte se ka përshkruar një itinerar duke ndaluar në disa qytete të Italisë. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative ndaj përveç kontrollit me skaner, agjentët ndërhynë fizikisht në autobus, ku gjetën 6 qese plastike me 522 mijë euro me prerje nga 5 euro deri në 100-dëshe. Aktualisht në kuadër të këtij hetimi u ngritën akuzat e pastrimit të parave, mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi dhe kontrabandës.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?