Artjon Taçi

Akuzohen për krime zgjedhore e falsifikim dokumentesh, Gjykata e Elbasanit liron nga qelia shefin e zjarrfikëses së Cërrikut dhe 4 zyrtarët e tjerë

3 Shtator 2023, 17:06| Përditesimi: 3 Shtator 2023, 18:40

  • Share

Gjykata e Elbasanit ka liruar nga qelia drejtorin e zjarrfikëses në bashkinë e Cërrikut, Artjon Taçi, 36 vjeç, dhe 4 personat e tjerë të arrestuar tre ditë më parë me urdhër të Prokurorisë për falsifikim dokumentesh, ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe përdorim të funksionit politik në veprimtari zgjedhore. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura ndaj tyre është caktuar masa arrest shtëpie.

Bashkë me zyrtarin e zjarrfikëseve në pranga ranë edhe Agiano Dinoshi, punonjës i tatim taksave, Adnand Xhelili, specialist i zjarrfikëses, Alban Shima, përgjegjës i OSHEE Cërrik, dhe Armand Gjoka, punonjës i zjarrfikëses, të gjithë banues në Cërrik. Prokuroria i akuzon se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dhënë vërtetime false për subjekte biznesi që kishin detyrime të pa paguara në bashkinë e Cërrikut. Ndaj pesë personave të arrestuar ka dyshime edhe për pjesëmarrje aktive në zgjedhjet lokale të 14 majit, në një kohë që ligji e ndalon angazhimin e punonjësve të administratës.

Sipas burimeve nga prokuroria e Elbasanit, hetimi ka nisur disa muaj më parë. I akuzuar në këtë çështje është edhe shtetasi me iniciale K.V, ndaj të cilit u vendos më herët masa "Detyrim paraqitje" dhe "Ndalim i daljes jashtë shtetit". Shefi i zjarrfikëses së cërrikut, Artjon Taçi është arrestuar edhe më parë nga policia pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Ai ra në pranga më 19 janar 2023, në qytetin e Cërrikut me akuzën “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt në gjendje të dehur”, pasi u ndalua nga policia dhe ju bë testi i alkoolit, ku rezultoi në masën 2.0 mg/l, ndërsa në testin e dytë rezultoi me 1.225 mg/l.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?