U gjet i pajetë brenda tualetit të hotelit në Divjakë, prokuroria e Lushnjës nis hetimet për vdekjen e 47 vjeçarit spanjoll

29 Mars 2023, 16:15| Përditesimi: 29 Mars 2023, 19:03

  • Share

Prokuroria e Lushnjës ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e 21 marsit, ku shtetasi spanjoll Francisco Javier Carraso Cervilla u gjet i vdekur brenda tualetit të hotelit në fshatin Karavasta të Divjakës.

Ka qenë shoku i dhomës kolegu i tij, Osvaldo Velasco 41 vjeç që e ka gjetur në banjën e dhomës që ndanin të dy. Ky i fundit ka kërkuar një ambulancë por 47 vjeçari ndërroi jetë për shkak të plagëve që mendohet se ia ka shkaktuar vetes.

Prokuroria e Lushnjës ka regjistruar procedimin penal nr. 146 për veprën penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’. Nisja e hetimeve ka filluar në bazë të materialeve të dërguara nga komisariati i policisë së Divjakës.

"Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes. Ky procedim është në fazën fillestare të tij dhe nisur nga natyra e çështjes janë kryer veprimet e plota hetimore që konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e provave materiale dhe këqyrjen e tyre, janë marrë vendimet e nevojshme të ekspertimit, janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen. Të gjitha të dhënat e përftuara deri në këtë fazë po analizohen dhe kryqëzohen me njëra-tjetrën, me qëllim përcaktimin e shkakut të ardhjes së pasojës"-thuhet në njoftimin e bërë publik nga prokuroria e Lushnjës. 

Për ngjarjen u mor në pyetje edhe shoku i tij 41 vjeçar për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Viktima, Francosco Cervilla prej afro një muaji punonte në zonën e Karavastasë në montimin e serave diellore. Ndërsa mësohet se 47 vjeçari kishte shfaqur më parë shenja depresioni për shkak të problemeve që kishte me familjen e tij që jetonte në Spanjë. 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?