U dëmtua nga tërmeti, mbeten pezull punimet në Teqenë e Dollmës në Kalanë e Krujës, firma u tërhoq

31 Mars 2023, 18:40| Përditesimi: 31 Mars 2023, 18:50

  • Share

Teqeja e Dollmës, monument kulture i Kategorisë së Parë në Kalanë e Krujës është ndër objektet e rëndësishme që u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Punimet për restaurimin e saj u njoftuan nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti në korrik 2020, por prej asaj dite e deri më sot nuk kanë përfunduar...

Sot, veç një tabele që lajmëron se nuk lejohet hyrja në objekt, s’ka mbetur asnjë shenjë tjetër! Pamjet e xhiruara nga Report Tv tregojnë se në kantier nuk ka asnjë punëtor apo restaurator....

Ndërsa shihet se është vendosur mbulesa e çelikut dhe është realizuar faza e parë e ndërhyrjes emergjente për të mos lejuar dëmtimin e mëtejshëm. Punimet për restaurimin e plotë të mureve, çatisë dhe afreskeve nuk janë kryer edhe pse tashmë kanë kaluar më shumë se 3 vite nga tërmeti dhe më shumë se 2 vite nga koha kur Ministria e Kulturës njoftoi me bujë restaurimin e këtij objekti me rëndësisë të veçantë brenda kompleksit historik të Kalasë së Krujës. Në nisje të projektit vlera e dëmit ishte përllogaritur në 21.500.000 lekë.

Report Tv u interesua pranë këtij dikasteri i cili tha objekti restaurohet me financime të huaja dhe punimet ndiqen nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”. Në një përgjigje për Report TV “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” thotë se në Teqen e Dollmës është ndërprerë kontrata me kompaninë e kontraktuar fillimisht pasi kompania u tërhoq dhe është duke u mbyllur procedura e dorëzimeve. Me mbylljen e procedurave sipas parashikimeve ligjore do kontraktohet një kompani e re për vazhdimin e punimeve.

Ndërsa në Kullën e Sahatit në Krujë janë duke u kryer ndërhyrje përforcuese dhe është përpiluar projekti për ndërhyrjen e plotë restauruese. Punimet në kullën e sahatit thotë “Trashëgimia Kulturore pa Kufij’ do të rifillojnë pas përforcimit të shkëmbit dhe ato janë marrë përsipër nga ministra e Kulturës.

Teqeja është monument kulture i Kategorisë së Parë, ndërtuar në vitin 1778 dhe një nga më të rëndësishmit e qytetit të Krujës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?