Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Opinion

U blenë votat, ulërasin analistët nga njëri televizion në tjetrin dhe akuzojnë popullin si një thes me kakërdhi

30 Prill 2021, 10:28| Përditesimi: 30 Prill 2021, 10:31

  • Share

Është kthyer në shëtitje mbrëmjeje akuza “u blenë votat”. Me një thjeshtësi çmeritëse. U blenë votat, nga njëri televizion në tjetrin, nga njëri analist darke në tjetrin, nga njëri moderatoro-spikero-analisto-gazetar në tjetrin.

Pa emra, pa fakte, pa dokumenta. U blenë votat. Pra, elita e vendit tonë, se këta i bie të jenë elita, përderisa reklamat më të shtrenjta paguhen në oraret kur shfaqen njëherësh në të 200 kanalet shqiptare, pra elita e kombit mendon se janë elita e një kombi që shitet e blihet. Sepse ata nuk bëjnë dallim.

Ata të fusin dhe ty në thes. Vota u ble. Pra edhe ty ta blenë votën. Le të jesh ti një demokrat që në grevën e studentëve, a një socialist që me fjalimin e Dritëro Agollit, apo një LSI-ist i 2004, qoftë edhe një votues i partive të reja kundër tre të parave. Jo thonë ata, vota u ble. U ble edhe në Shkodër, u ble edhe në Vlorë, pa u ble edhe në Tiranë, Korcë, e Gjirokastër. Sepse kështu thonë ata, përditë e përnatë.

Pa vënë përpara akuzës që e kthen gjithë popullin shqiptar në një thes me kakërdhi, as një “ndoshta”, sa për dyshim, sa për të mos qenë këta elita e kombit që bëhet njësh me militantët e rrjeteve, edhe hetues, edhe prokurorë, edhe gjyqtarë. Këta duhet të sjellin fakte për këtë akuzë, ose të akuzuarit, popullit, i lind e drejta të dyshojë minimumi, se ata paguhen për çfarë thonë, pra blihen për të krijuar justifikimin.

Mund të dyshojë populli se histerizmi me akuzën e blerjes masive të votës, nisi që kur Lulzim Basha nuk dha dorëheqjen. Nisi që kur me një lëvizje brilante politike, Tom Doshi u tërhoq nga deputetllëku dhe shpalli aleancën me PS. Nisi që kur në kutitë e para e në zonën ku u votua elektronikisht, u pa se PS po projektonte fitoren e rradhës.

Nisi që kur aleatët e PD që vodhën pesë gjashtë vende deputeti në lista të sigurta, u tallën me Bashën sepse së bashku nuk morën as një të katërtën e votave të LSI, me të cilën kreu i PD preferoi të mos bëjë marrëveshje. Nisi që kur PD as nuk përpiqet të çlirohet nga Berisha që e ka mbërthyer për gryke.

Ka njerëz që e shesin votën. Ashtu si ka njerëz që e blejnë, pa dallim flamuri politik. Sepse ka njerëz që votën e tyre e barazojnë me një dele që nxjerrin në pazar, u vjen rasti, kursejnë delen, marrin dhe ca lekë për një copë letër ku si analfabetë shënojmë të gjithë me X.

Por nëse ka ca pisa që paguajnë fukarallëkun, injorancën dhe padinjitetin e disa njerëzve, nuk duhet të jenë këta që mbahen si elita e kombit që t’i fusin gjithë në një thes.

Minimumi kush prej tyre doli si Blendi Fevziu të bënte thirrje “mos shisni votën”, kush? Që mos të flasim për ndonjë maksimum si dalja në terren për ta prekur vetë realitetin, që të mos flasin duke u bazuar çfarë nxjerr njëri dhe tjetri edicion a emision lajmesh, që duken më shumë si gjueti shtriganësh me ngjyra të ndryshme.

A mendoni ndonjëherë të thoni se nëse në zgjedhje do kishin dalë 60 e më shumë përqind e votuesve s’do kishte vlerë as blerja e as tjetërsimi? A e mendoni se si ka mundësi që asnjë demokrat në kryeqytet, me gati 500 mije votues nuk e theu listën? A mendoni se kjo mjegulla e gjithë popullit të blerë është duke ju dëmtuar edhe ju? Mor po a e mendoni se njerëzit tek e fundit mund të jenë edhe më të zgjuar, edhe më të ndershëm se ju?! Mendojeni njëherë.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Like: 30/04/2021 11:58

    Votat e kujt o pseudo analiste te like injoranti e kokemadhi, mona surrat kali,salqeni e lulkes. Ju kane paguar ata qe te lehni si qente sa ne nje stacion televiziv ne tjetrin. Kane faje dhe ata qe ju therrasin o jashteqitje te kombit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?