Sulltane Kuka

U arrestua se ndërhyri në të dhënat kompjuterike, përjashtohet nga policia e shtetit oficerja e Rinasit Sulltane Kuka

26 Shtator 2023, 18:41| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 18:47

  • Share

Sulltane Kuka efektivja e policisë në Komisariatin e Policisë Rinas që u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pasi akuzohet për korrupsion dhe ndërhyrje në të dhënat kompjuterike është përjashtuar nga policia e shtetit. 

Njoftimi i policisë së shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për përjashtimin e menjëherëshëm nga Policia e Shtetit, të punonjëses së Policisë së Shtetit, inspektore S. K., 29 vjeçe, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas. 

Përjashtimi i kësaj punonjëseje u bë për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, neni 208, pika 3 "Përdor pozitën si punonjës policie për përfitime personale", pasi datë 25.09.2023, gjatë inspektimit të bërë nga grupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore në OASH-në, në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Lezhë, u konstatua se një automjet i shpallur “Alert”, ishte hequr nga sistemi në mënyrë të kundërligjshme. Po nga verifikimet e kryera nga gupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore dyshohet se automjeti është hequr nga “Alert, nga punonjësja e Policisë S. K.

Për këtë rast, AMP ka bërë ndalimin e kësaj punonjëseje policie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.

Policia e Shtetit është e vendosur për të larguar nga radhët e saj cilido punonjës police që abuzon me detyrën dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.


Lajmi kryesor:

Arrestohet policja e Rinasit, ndërhyri në të dhënat kompjuterike dhe i hoqi 'Alertin' pronarit të kompanisë së makinave me qira (EMRAT)


B.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?