U arrestua dje në Kosovë, lihet në burg ‘baroni i drogës’ Gëzim Çela! Koka e trafikut të kokainës e heroinës në Evropë

9 Dhjetor 2023, 17:07| Përditesimi: 9 Dhjetor 2023, 18:38

  • Share

Ish-punonjësi i policisë, Gëzim Çela, i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë, është lënë në burg. Vendimi u dha sot (9 dhjetor) nga Gjykata e Ferizajt, një ditë pasi baroni i drogës ra në pranga pas bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës. Çela ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për trafik drogë.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Gëzim Çela, i kërkuar nga Autoritete e Republikës së Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Ferizajt vendosi masën e paraburgimit në kohëzgjatje 40 ditëve, ndërsa pritet që autoritetet shqiptare të fillojnë procedurat për kërkesën për ekstradimin e tij.   

Çela u arrestua më 9 dhjetor në fshatin Dardani të Ferizajt nën shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria. Me të ishte dhe personi që e ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë. Ai doli përgjimet e operacionit “Flakë në Det”, i nisur që në 15 gusht të këtij vitit dhe u shpall në kërkim nga SPAK në 9 Tetor, ditën kur u arrestua Dritan Metaj, shefi i komisariatit të Kurbinit i dyshuar në mbështetje të aktivitetit kriminal të të ashtuquajturit “baroni i drogës”, ndërsa ishin shpallur në kërkim edhe Arben Dalipaj, nga Vlora dhe Roland Guza nga Durrësi.

Çela është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore. Në vitin 2015,  Çela akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine. Në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet një sasi prej 18 kg kokainë.

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drej Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar. Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai luante rolin e korrierit të drogës që kishte marrë në Prishtinë. Në të njëtën kohë në Prishtinë u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpinë e Gezim Çelës në Fushë Kuqe u gjetën 18 kiliogramë heroinë, 150 kilogramë kanabis sativa. Si dhe u sekuestruan 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Por kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte.

Kur mbërrinte në Shqipëri droga dërgohej në shtëpinë e Gëzim Çelës, në Fushe Kuqe. Nga ku kishte si destinacion final vendet e Perëndimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Çelës, policia ka mundur të sekuestrojë 20 bidona açeton dhe 500 litra perzierës. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për Çelën ekziston një dënim nga gjykatat italiane me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, për trafik droge. Para 1997-ës, Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?